Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), ka njoftuar se lidhur me rastin e helmimit të mbi 200 personave në një lokal në Malishevë javën e kaluar, janë izoluar baktere në disa lloje të produkteve.
Në bazë të hulumtimit epidemiologjik dhe rezultateve mikrobiologjike vlerësohet si epidemi kolektive e shkaktuar nga Salmonella Enteritidis, e cila është izoluar në mostra të ushqimit dhe në mostra humane.
“Në mostra të ushqimit, të strishove të ambientit dhe sipërfaqeve punuese janë izoluar: Salmonella enteritidis, Listeria monocytogenes, Staphylococcus aureus, Escherichia coli, Bakteret koliforme dhe mezofile. Siç vijon: Majonez i prodhimit vetanak (LUSH 2-3133) – Salmonella enteritidis, Listeria monocytogenes, Staphylococcus aureus, Escherichia coli, Bakteret koliforme dhe mezofile. Mish doneri termikisht i përpunuar (LUSH 2-3134) – Salmonella enteritidis. Qofte të ngrira (LUSH 2-3135) – Listeria monocytogenes, Escherichia coli, Bakteret koliforme dhe mezofile. Pleskavicë e ngrirë (LUSH 2- 3136) – Listeria monocytogenes, Staphylococcus aureus, Escherichia coli, bakteret koliforme dhe mezofile. Dhe Sos me hudër (LUSH 2—3137) – Salmonella enteritidis, Listeria monocytogenes, Staphylococcus aureus, Escherichia coli, Bakteret koliforme dhe mezofile”, thuhet në komunikatën për media.
Në komunikatën e AUV-it bëhet e ditur se rezultatet e mostrave të ujit i përgjigjen standardeve të kërkuara sipas udhëzimit administrativ të ujit për konsum human.
“Andaj, si shkak si shkak zbatuar kontrolli i rreziqeve të sigurisë ushqimore dhe zbatimi i praktikave higjienike në të gjithë linjën e prodhimit të ushqimit. Sipas të dhënave nga IKSHPK deri me datë 19 tetor 2023, për shkak të përmirësimit të gjendjes shëndetësore shumica e rasteve të hospitalizuara janë liruar në shtëpi, dhe vetëm tetë prej tyre vazhdojnë të jenë të hospitalizuar, por me gjendje stabile shëndetësore”, thuhet tutje në komunikatën për media.
AUV bashkë me mekanizmat e tjerë shtetërorë ka thënë se kanë ndërmarrë të gjitha veprimet e parapara ligjore në kohë, për ndihmë-shërim të të helmuarve dhe gjetjen e shkaktarit.