Zëdhënësja e Policisë së Kosovës, për rajonin e Prishtinës Flora Ahmeti për Portalin Dukagjini e ka konfirmuar se në lagjen Lakrishtë në Prishtinë janë plagosur tre persona.
“Sot rreth orës 19:00 policia ka marrë informatën për një plagosje me armë zjarri të ndodhur në lagjen Lakrishte në Prishtinë. Bazuar në të dhënat fillestare dyshohet se me armë zjarri janë plagosur tre persona, të cilët janë dërguar për tretman mjekësor”, ka thënë Ahmeti.
“Hetuesit policor në koordinim me prokurorinë, po ndërmarrin veprimet hetimore për arrestimin e dy personave të dyshuar ( të cilët janë identifikuar) si dhe ndriçimin e plotë të rastit”, ka shtuar ajo.
Ahmeti ka përfunduar duke thënë se Policia e Kosovës pas marrjes së informatës menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe sipas saj i ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme që konsistojnë në hetimin e rrethanave që karakterizojnë ngjarjen.