Kryetari i Kuvendit të Kosovës është takuar me deputeten britanike, Alicia Kearns, dhe e ka falënderuar atë për vizitën e saj, që, sipas tij, vjen si afirmim i bashkëpunimit të ngushtë në mes të dy vendeve.
“Po ashtu, znj. Kearns i shpreha mirënjohjen time dhe të vendit tonë për mbështetjen e saj të madhe dhe të vendit të saj që na ka qëndruar në krah në kohët më të vështira dhe në ato më të mirat”, ka shkruar Konjufca.
Në këtë takim, Konjufca ka ritheksuar se prania e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë dhe në rajon është e një peshë e pazëvendësueshme për sigurinë dhe stabilitetin.
“Raportet mes dy vendeve tona janë shembullore dhe ne u pajtuam se forcimi i këtij bashkëpunimi në çdo fushë mbetet prioritet, ndërsa angazhimi ynë për këtë vazhdon të jetë i palëkundur. Me znj. Alicia Kearns biseduam edhe për ngjarjet e fundit të Banjskës, ku mora konfirmimin se mbështetja e Mbretërisë së Bashkuar për Kosovën do të vijojë të jetë e fuqishme”, ka shkruar ai.
Kryetari i Kuvendit është shprehur se aktet e agresionit të Serbisë ndaj Kosovës përmes grupeve terroriste nuk janë kërcënim vetëm për Kosovën, por, sipas tij “vendos në pikëpyetje stabilitetin e të gjithë rajonit. Qëndrimi i prerë sot në emër të vlerave të demokracisë është sigurimi i paqes dhe përparimit të nesërm”.