Shërbimi Spitalor, Klinik dhe Universitar i Kosovës (ShSKUK) ka njoftuar se në kohë rekorde po bëhet diagnostikimi i meningjitit, në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.
ShSKUK-ja ka njoftuar se duhej kohë deri në 5 ditë që të marrin rezultatet dhe të kuptonin shkaktarët e menengjiteve.
“Kjo u bë e mundur falë rritjes së kapaciteteve diagnostike moderne, ku tashmë rezultatet për pacientët kryhen brenda ditës”, thuhet në njoftimin e ShSKUK-së.
Në këtë njoftim thuhet se diagnostikimi i shpejtë parandalon përdorimin e antibiotikëve të spektrit të gjerë, duke ruajtur kështu shëndetin e pacientit, duke shtuar se trajtimi i meningjiteve është kompleks dhe kërkon trajtim multidiciplinar.
Më tej, njoftohet se tashmë pacientëve të dyshuar për meningjit u bëhen në kohë të shpejtë edhe ekzaminimet imazherike, si CT, MRI dhe ultrasonografia transfontaleare.