Trupi Zgjedhor i Bashkësisë Islame të Kosovës ka zgjedhur Naim Tërnavën kryetar të Bashkësisë Islame – myfti edhe për një mandat.
Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, myftiu Naim ef. Tërnava është zgjedhur me aklamacion për mandatin e ri në krye të këtij institucionit nga Trupi Zgjedhor, i cili përbëhet nga anëtarët e Kuvendit, anëtarët e Kryesisë dhe udhëheqësit e institucioneve të BI-së.
Në fjalën e tij, Myftiu Tërnava ka falënderuar të gjithë për besimin e dhënë dhe për mbështetjen e ofruar në mandatet e kaluara, teksa ka thënë se prioritet në mandatin e ri është edukimi, arsimimi, avancimi dhe fisnikërimi i qytetarëve tanë.
“Ndër prioritetet kryesore është edukimi, arsimimi, avancimi dhe fisnikërimi i popullatës sonë për dynja e ahiret, ngritja, zhvillimi dhe avancimi e standardizimi i institucioneve e forumeve tona, në funksion të kërkesave të kohës për të organizuar, përgatitur e mbështetur besimtarët tanë anekënd vendit”, ka thënë myftiu Tërnava, njofton Bashkësia Islame e Kosovës.
Myftiu Tërnava ka thënë tutje se ka për synim të ngrejë profesionalisht nëpunësit e BI-së, ruajtjen e besimtarëve nga ekstremizmi, sektarizmi dhe polarizimi i fesë e i besimit. Po ashtu, prioritet do të jetë edhe masivizimi i mësim besimit në të gjithë Kosovën.