Presidenti i Federatës së Paqes Universale për Evropë dhe Lindje të Mesme, Jacques Marion, ka deklaruar se pas sulmit terroristë të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, Kosova është në një situatë më të komplikuar dhe e vetmja zgjidhje për të arritur paqe mes dy vendeve, është dialogu.
Marion ka vlerësuar se Bashkimi Evropian duhet të përfshihet më shumë në dialogun në mes Kosovës dhe Serbisë, me qëllimin e vetëm që të ketë një zgjidhje të përbashkët.
Ai ka thënë se Kosova mund të organizohet edhe më shumë brenda vendit në nivel të shoqërisë civile dhe mund të organizojë një atmosferë apo një mjedis që mundëson lidhje më të lehtë ndërmjet serbëve dhe kosovarëve.
Marion derisa flet për pozitën e Kosovës në dialog, ka thënë se pavarësisht se dy vendet kanë qëndrime të ndryshme, kanë edhe interesa të përbashkëta.
“Kosova është në një situatë më të komplikuar tani sepse është në mes të një konflikti dhe konflikti është intensifikuar. Dhe kështu mendoj se më së shumti duhet të jetë fokusi në dialog. Dhe dialogu, natyrisht, nuk mund të përfshijë vetëm Serbinë dhe Kosovën, BE-ja duhet të përfshihet shumë, mendoj, siç e përmendën të gjithë, BE-ja duhet të jetë e përfshirë edhe më shumë, e dini, ndoshta e përfshirë pozitivisht në atë dialog. Por, mendoj se Serbia dhe Kosova kanë, natyrisht, qëndrime të ndryshme dhe mund të qëndrojnë në qëndrimet e tyre, por kanë edhe interesa të përbashkëta”, ka thënë Marion për KP.
Sipas Marion, fokusi duhet të jetë tek interesat e përbashkëta dhe jo te qëndrimet e njëanshme.
Situata e krijuar në veri të vendit, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku, ai është shprehet se ajo situatë tregon se ka manipulim të konfliktit dhe se është e papranueshme.
Ai ka riktheksuar se Kosova duhet të vazhdojë dialogun me mbështetjen e ShBA-së dhe BE-së.