Këshilli organizativ i Kuvendit Kombëtar Shqiptar për Kosovën dhe Unioni Shqiptar i Shoqërisë Civile, në bashkëpunim me qytetarë nga Kosova Lindore kanë protestuar kundër politikave të Serbisë ndaj vendbanimeve shqiptare në Luginë.
Protestuesit kanë mbajtur me vete flamurin e Kosovës dhe atë të Shqipërisë.
Po ashtu, protestuesit kanë mbajtur disa pankarta me vete ku shkruhej “Preshevë”, “Medvegja është Dardani”.
Protesta ishte paqësore, ndërsa fjalim para protestuesve kanë mbajtur kryetari i Unionit Shqiptar, Dashamir Uruqi dhe koordinatorja e Kuvendit Kombëtar Shqiptar, Linda Shaqiri.
Nga ta u tha se që nga viti 2011 është duke u zhvilluar spastrimi etnik në tri komunat e banuara me shqiptarë; Bujanovë, Medvegjë dhe Preshevë.
Gjithashtu, nga folësit u tha se në këto komuna në shëndetësi nuk ka asnjë shqiptar të punësuar dhe se Lugina ka nevojë për ndihmë të gjithanshme morale e ekonomike, pasi që këto komuna nuk mund të arrijnë rezultat të dukshëm me 2 milionë eurot që jep Kosova, e zero nga Shqipëria.