Imagjinoni ta shihni veten në një video duke thënë gjëra që nuk i keni thënë kurrë më parë, gjëra të diskutueshme, gjëra që mund t’ju kushtojnë me punën ose t’ju largojnë nga familja dhe miqtë. Zëri që dëgjoni është padyshim i juaji, dhe po ashtu edhe kthesat e frazës, por ju nuk e mbani mend atë që është thënë dhe tmerroheni nga ajo që dëgjoni.
Kjo sekuencë ku ju e fajësoni vetën dhe mundoheni me kujtu se ku ka ndodhur, realisht është e njohur si deepfake dhe është versioni i ri i Fake News apo ndryshe lajmit të rremë.
Çka është deepfake apo fakenews 2.0?
Profesori universitar, Dren Gërguri, ka thënë se Deepfake është manipulim audioviziv që realizohet përmes inteligjencës artificiale.
Sipas Gërgurit, zhvillimi i shpejtë i programeve të inteligjencës artificiale bën që manipulimi përmes deepfake mund të jetë i rrezikshëm, e që sipas tij, qasja e lehtë e përdorimit në programe.
“Deepfake është manipulim audioviziv që realizohet përmes inteligjencës artificiale. Zhvillimi i hovshëm i programeve të inteligjencës artificiale bën që ky lloj manipulimi të bëhet edhe më i rrezikshëm, sepse programet po bëhen më lehtë të përdorshme nga secili” ka thënë Gërguri në një intervistë për Portalin Dukagjini.
“Goxha sfiduese mënyra për të zbuluar se një video është deepfake”
Profesori Gërguri ka thënë se është goxha sfiduese mënyra për të zbuluar se një video është deepfake, por që “sugjerimi i tij për videot që kanë mesazhe apo përmbajtje të dyshimtë, para se t’i besojnë, të kërkojnë më shumë informacione lidhur me ato mesazhe apo përmbajtje edhe në burime të tjera informacioni”.
“Zbulimi se një video është deepfake është goxha sfidues për gjithsecilin. Sugjerimi im është që për videot të cilat kanë mesazhe ose përmbajtje të dyshimtë, para se t’i besojnë, të kërkojnë më shumë informacione lidhur me ato mesazhe apo përmbajtje edhe në burime të tjera informacioni. Relevanca e ngjarjeve e pamundëson që ai informacion të jetë vetëm në media sociale. Për shembull, disa video u bënë virale në X apo TikTok, por nuk ishin raportuar në mediet e mëdha botërore”, ka thënë Gërguri.
“Mediet sociale të fokusohen në rregullime të brendshme për minimizim të keqpërdorimit”
Ndërsa për thirrjet ndërkombëtare të bëra drejt pronarëve të rrjeteve sociale a janë të duhura sa i përket videove të shpërndara qoftë në “X” dhe të tjera, Gërguri ka thënë se duhet kërkuar llogaridhënie nga mediat e mëdha sociale sepse ndikimi i tyre po është i madh dhe ato po keqpërdoren. E më këtë rast reagimet për t’i fshirë këto përmbajtjet e manipuluara ishin të vonshme.
“Ndaj medieve të mëdha sociale duhet kërkuar llogaridhënie sepse ndikimi i tyre është i madh, ato po keqpërdoren dhe në shumë raste e kemi parë se reagimet për t’i fshirë përmbajtjet e manipuluara ishin të vonshme. Prandaj, është shumë e rëndësishme që mediet sociale të fokusohen në rregullime të brendshme që minimizojnë mundësitë që ato të keqpërdoren”.
Tutje, Gërguri ka rikujtuar vendimin e rrjetit social “X”, ku secili prej përdoruesve mund të verifikojë profilin duke paguar 8$ në muaj, dhe NewsGuard me analizën e fundit ka treguar se si 74% e gjenerimit të materialeve të pavërteta në X për luftën Izrael-Hamas janë nga përdorues që janë të verifikuar.
“Por, deri tash nuk shohim diçka të tillë, sidomos te X apo TikTok. P.sh. X me vendimin që secili mund të verifikojë profilin e tij duke paguar 8$ në muaj ka bërë që verifikimi të mos jetë më një nga kriteret për të matur autencitetin e profilit. Madje, NewsGuard në një analizë së fundi tregon se si 74% e gjenerimit të materialeve të pavërteta në X për luftën Izrael-Hamas janë nga përdorues që kanë paguar dhe janë të verifikuar”, ka përfunduar Gërguri.