Në burgun e Dubravës është zhvilluar emisioni N’burg me Nitën, ku janë rrëfyer të burgosurit, të cilët kishin qenë përdorues të narkotikëve.
Valon Gashi, i burgosur nga Peja, i cili është i dënuar 7 vjet e gjysmë për grabitje, ka thënë se në fëmijëri ka qenë një tip i qetë e i urtë në shkollë dhe deri në klasën e gjashtë-shtatë ka qenë një nxënës i mirë.
Ndërsa ka folur rreth rastit të dënimit të tij për grabitje, Gashi tregon se si kanë reaguar familjarët e tij.
“Jam ndjerë keq sepse familja më ka thënë çfarë ke bërë kështu kushtet e jetesës i ke pasur”, ka treguar Gashi.
Ndër të tjerash, ai ka folur edhe për efektet e barit si përdorues duke thënë se në fillim nuk të duket asgjë, por me kalimin e kohës e kupton se ke jetuar si në ëndërr.
Eduart Dudini nga Gjilani, është i dënuar për vjedhje të rëndë 5 vjet e gjysmë.
Eduardi, për emisionin ‘N’burg me Nitën’ thotë se në fëmijërinë e tij ka pasur fatin që të rritet në një familje të mirë, por në moshën 15-16 vjeçare ka filluar të përdorë droga për dhjetë vjet,e sipas tij, këto pasoja është duke i vuajtur nëpër burgje ende.
“Drogën e kam filluar me shoqëri.Me konsumimin e barit kam vazhduar si përdorues për shtatë vjet radhazi, ndërsa pas asaj periudhe, kam kaluar në droga të tjera të cilat i kam përdorur siç janë heroina për tri vjet, ndërsa qe 5 vjet i kam lënë të gjitha”, ka thënë Dudi.
Ai ka shtuar se duke qenë përdorues i drogës nuk mund të jesh askushi në këtë jetë.
“Jam ndjerë keq kur e kam parë familjen time dhe i’u kam premtuar se nuk do të ndodhë më, dhe do të sjellem mirë”, ka thënë Dudi.
Sipas tij, nëse je përdorues i drogave dera e vetme nëpër të cilën do të kalosh të ardhmen është vetëm në burgje. Ndërsa këshillat e familjes nuk kishin munguar asnjëherë.
I burgosuri nga Mitrovica është i dënuar për narkotik me dy vjet burg.
I burgosuri nga Mitrovica ka thënë se si fëmijë ka qenë më i shkathët dhe është marrë me sport, si dhe ka pasur një fëmijëri të shkëlqyeshme. Asnjëherë nuk ka menduar se mund të jetë përdorues i drogave, pasi është marrë me sport dhe nuk ka menduar se do të ketë një të ardhme të tillë.
“Barin e kam provuar një herë dhe ka nisur ta pëlqejë, por pas një kohe të gjatë e kam kuptuar se është e dëmshme, jo vetëm për mua por për çdo njeri”, ka thënë i burgosuri nga Mitrovica.