Hamasi i ka liruar të hënën dy gra të moshuara izraelite, të cilat po mbaheshin peng në Gaza.
Qeveria e Izraelit njoftoi të hënën vonë se Nurit Cooper, 79 vjeçe dhe Yocheved Lifshitz, 85 vjeçe, u liruan “nga duart e organizatës terroriste, Hamas”.
“Mund të konfirmoj se nëna ime Yochi [Yocheved] Lifshitz ishte një nga dy pengjet e liruara në Kryqin e Kuq këtë mbrëmje. Ndërsa nuk mund ta përshkruaj me fjalë lehtësimin që ajo tani është e sigurt”, ka thënë vajza Sharone Lifschitz në një deklaratë, raporton CNN.
Ajo ka thënë se mbeti e fokusuar në sigurimin e lirimit të babait të saj, i cili ende besohet të jetë në robëri.
Lifshitz dhe Cooper u dërguan në pikëkalimin kufitar me Egjiptin, Rafah, nga ku u morën me ambulanca, sipas pamjeve të shfaqura nga televizioni egjiptian.
Ato, bashkë me bashkëshortët e tyre, të moshës 83 dhe 84 vjeçe, u rrëmbyen nga shtëpitë e veta në qytetin afër kufirit me Gazën, Nir Oz, nga militantët e Hamasit gjatë sulmit të tërbuar të 7 tetorit.
Raportohet se Hamasi nuk ka marrë asgjë në këmbim për lirimin e dy pengjeve, të cilat u lanë të lira pak ditë pasi Hamasi i kishte liruar një grua amerikane me të bijën.
Hamasi dhe grupet e tjera militante në Gaza besohet i rrëmbyen rreth 220 njerëz, përfshirë një numër të pakonfirmuar të të huajve dhe personave me dyshtetësi.
Izraeli është zotuar se do ta shkatërrojë Hamasin. Ndërkohë, luftëtarët e mbështetur nga Irani nëpër rajon kanë paralajmëruar për një përshkallëzim të mundshëm të luftës, përfshirë sulmimin e forcave amerikane të zhvendosura në Lindjen e Mesme, nëse Izraeli e nis ofensivën tokësore në Gazë.
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka kërkuar lirimin pa kushte të të gjithë pengjeve të mbajtur në Gaza. Grupet e të drejtave të njeriut, organizatat ndërkombëtare dhe familjet e të burgosurve kanë kërkuar gjithashtu lirimin e menjëhershëm të tyre.
Lirimi i parë i pengjeve që nga sulmi i 7 tetorit ndodhi të premten, me Hamasin duke liruar dy gra me nënshtetësi të Shteteve të Bashkuara, Judith Raanan dhe vajzën e saj Natalie, pas përpjekjeve të ndërmjetësimit nga Katari.