Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka konfirmuar se këtë javë do të udhëtojë për në Bruksel, siç ka thënë ai, për një rund të ri të dialogut mes Kosovës e Serbisë.
Vuçiq duke mos saktësuar ditën e saktë, ka thënë se “pas dy-tri ditësh” pret që të ketë një takim me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, në Bruksel.
“Pas dy-tre ditësh pres që unë dhe Kurti të shkojmë sërish në Bruksel. E jona është që ta mbrojmë Serbinë nga të gjitha masat e mundshme, por dhe nga shembja e interesave tona kombëtare dhe shtetërore”, ka thënë Vuçiq para mediave në Serbi.
Nga Qeveria e Kosovës nuk kanë konfirmuar ende nëse kryeministri Kurti do të udhëtojë në Bruksel për një takim me Vuçiqin, siç po raportohet tashmë.
Kurti gjatë ditës së sotme, nga Greqi foli për dialogun, teksa tha se Serbia është pala bllokuesve e cila po refuzon të zbatojë marrëveshjen e Ohrit, për faktin se e njëjta përmban njohjen defacto të Kosovës.
“Ne duhet ta implementojmë marrëveshjen që e kemi arritur. Unë kam ofruar ta nënshkruaj më 27 shkurt në Bruksel, pastaj kam ofruar ta nënshkruaj sërish në Ohër, por Beogradi nuk dëshiron të nënshkruajë sepse përmbajtja e marrëveshjes është njohje defacto për Kosovën, është modeli i dy Gjermanive. Ajo që na mungon tani, është implementimi. Pra, në historinë e marrëveshjeve midis Kosovë e Serbisë, kemi mbi 40 marrëveshje, por mungesë të implementimit. Ta bëjmë një marrëveshje dhe pastaj ta implementojmë atë, janë dy planete të ndryshme dhe duhet t’i sjellim ato në kontinentin e njëjtë dhe ky është kontinenti evropian. Pra, le të shpejtojmë në atë që jemi marrë vesh dhe unë ende jam gati të nënshkruajë gjithçka për të cilën them “po”, ky nuk është rasti me palën tjetër, dhe prandaj pengesat kanë ndodhur”, është shprehur Kurti.