Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka reaguar pas dështimit për herë të pestë të konstituimit të Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me dyshimet për procedurat për sigurimin e rezervave shtetërore.
Në një postim në Facebook, Hoti ka thënë se “urdhërat që i detyrojnë deputetët e mazhorancës të mos paraqiten në komision vijnë nga komisarët e nga kryeministri, i cili gjysmën e vizitave jashtë i ka në seminare e shkolla politike të së majtës në Greqi e vende tjera”.
Sipas tij, këta deputetë janë bërë pjesë e maskaradës politike të Kurtit.
“I cili po angazhohet me ngulm që t’i pamundësojë opozitës të ushtrojë rolin e saj mbikëqyrës të punës së Qeverisë”.
“Mospjesëmarrja e mazhorancës në seancat e jashtëzakonshme të thirrura nga opozita, mospërgjigja e Kryeministrit në pyetjet parlamentare të opozitës, si dhe pamundësimi i punës së Komisionit Hetimor Parlamentar përbëjnë akte antikushtetuese dhe pamundësojnë funksionimin e demokracisë parlamentare në Kosovë”, shkroi Hoti.
Ai thekson se kjo anomali do të dëmtojë procesin e anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, ku respektimi i praktikave demokratike dhe lirive janë shumë të rëndësishme.
“Kjo anomali do të mbetet njollë e zezë dhe episod fatkeq në demokracinë parlamentare të Kosovës”, shtoi ai.