Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës(AAK), Ramush Haradinaj, ka përkujtuar të rënët në Burgun e Dubravës.
Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj ka thënë se për disa ditë me radhë, në javën e tretë të majit në burgun e Dubravës, ndodhi një prej krimeve më makabre që pushtuesi serb bëri kundër shqiptarëve.
I pari i AAK-së ndër të tjera, ka shtuar se 22 maji 1999, gjithashtu, kujtohet për dhunën e gjakatarëve, që kaploi edhe qytetin e Vushtrrisë, në tentim të zhdukjes së qenies shqiptare.
Sipas tij, edhe pse këto masakra janë mirë të dokumentuara deri në detaje, askush ende nuk është gjykuar.
“Dhembja për të rënët është e madhe, e mosvendosja e drejtësisë vetëm se i mban të freskëta plagët e shpirtit. Rruga deri te liria ishte e vështirë dhe me shumë sakrifica. Shteti serb, edhe më tutje refuzon të pranojë të vërtetën dhe të përgjigjet për krimet, e Kosova vazhdon betejën për të vërtetën”, ka shkruar Haradinaj.
Edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të enjten e 19 majit, ka përkujtuar 23-vjetorin e masakrës së Burgut të Dubravës, duke theksuar se derisa ka ende dëshmitarë të mbijetuar nga ky krim, drejtësia duhet ta bëjë punën e vet, duke sjellë autorët e krimit para përgjegjësisë.
Për presidenten Osmani, pllaka me emrat e personave të vrarë është dëshmi e brutalitetit serb, që vrau brenda burgut 160 të burgosur shqiptarë dhe plagosi 300 të tjerë.
“Pllaka me emrat e të vrarëve e vendosur në hapësirën e Burgut të Dubravës do të jetë dëshmi e përhershme e egërsisë së regjimit gjenocidal serb, i cili mbajti padrejtësisht në burg shqiptarët, e më pas i ekzekutoi barbarisht. Ky krim makabër mbetet ende i pandëshkuar. Lufta jonë për liri dhe shtet do të vuloset kur drejtësia të vihet në vend për të gjitha krimet që ka bërë regjimi serb”, thuhej në njoftim.
Ndërkaq, më 19 maj janë bërë 23 vjet qëkur në Burgun e Dubravës ishte kryer një ndër masakrat më të mëdha në Kosovë nga regjimi serb.
Në pranverën e vitit 1999, kur forcat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës po përballeshin me ashpërsinë e forcave serbe në çdo cep të Kosovës, Aleanca Veriatlantike (NATO), me urdhërin e presidentit të atëhershëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës,(ShBA), Bill Clinton, më 24 mars të vitit 1999 filloi bombardimet e para kundër caqeve ushtarake e policore serbe.
Për humbjet që pësonin në frontet e luftës dhe nga bombat e NATO-s, ushtria dhe policia serbe, si hakmarrje kishte nisur të kryejë malltretime, dhunime, vrasje e krime mbi popullatën civile dhe mbi të burgosurit shqiptarë. Në maj të vitit 1999, pushteti serb kishte organizuar një krim të planifikuar mbi të burgosurit shqiptarë në Burgun e Dubravës, i cili në atë kohë ishte burg i sigurisë së lartë.
Masakra e Dubravës ishte kryer nga 19 deri më 24 maj të vitit 1999.