Policia e Kosovës e ka përfunduar aksionin që ishte duke zhvilluar në komunat veriore.
Kështu ka bërë të ditur për portalin Dukagjini zëvendësdrejtori i Policisë për veri, Veton Elshani. Ai ka konfirmuar se nga aksioni i së mërkurës nuk ka të arrestuar.
Një nga bastisjet ishte pikërisht në shtëpinë e cila është në pronësi të Vladimir Toliqit. Ky i fundit mbet i plagosur gjatë sulmit terrorist dhe i njëjti është aktualisht në paraburgim.
Ekipi i RTV Dukagjinit, që po qëndron atje, ka siguruar pamje nga bastisjet.
Ndryshe, bastisjet po zhvillohen që disa ditë pas sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit, ku ishte vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.
Si kundërpërgjigje policia i kishte vrarë tre terroristë. Përgjegjësinë për sulmin e ka marrë kryekrimineli Millan Radojçiq, i cili gjendet në Serbi i lirë.
Grupi terrorist kishte lënë prapa armatime të rënda, automjete, uniforma e shumë pajisje të tjera ushtarake me prejardhje nga Serbia.