Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka pritur në takim drejtorin e Përgjithshëm të Zyrës për Migrim në Bruksel, Freddy Roosemont.
Në këtë takim, Roosemont ka përgëzuar qytetarët e Kosovës që nga 1 janari i vitit 2024 do të lëvizin lirshëm drejt Belgjikës dhe shteteve tjera të Bashkimit Evropian (BE).
“z. Roosemont përgëzoi qytetarët e Republikës së Kosovës që nga data 1 janar do të lëvizin pa viza drejt Belgjikës dhe shteteve të Bashkimit Evropian dhe theksoi që kjo do të jetë një mundësi e mirë për zhvillim ekonomik dhe thellim të lidhjeve mes shteteve dhe qytetarëve”, thuhet në njoftimin e MPB-së.
Ministri Sveçla falënderoi Roosemont për mbështetjen e vazhdueshme të Mbretërisë së Belgjikës për Republikën e Kosovës dhe ka shprehur gatishmërinë për thellim të bashkëpunimit edhe në fusha të tjera, si për menaxhimin e migrimit të parregullt.
“Qeveria e Republikës së Kosovës ka filluar tashmë fushatën njoftuese në të gjitha komunat dhe për të gjithë qytetarët mbi procedurat dhe kriteret e lëvizjes së lirë nga data 1 janar 2024. Ministri Sveçla dhe z. Roosemont biseduan edhe për sfidën e menaxhimit të migrimit të parregullt, me ç’rast ministri njoftoi delegacionin që institucionet e Republikës së Kosovës janë të angazhuara maksimalisht në luftimin e këtij fenomeni, duke përfshirë edhe rregullativën ligjore për menaxhimin me migrantë”, thuhet tutje në njoftim.