Hulumtuesi i politikës së jashtme, Emir Abrashi, në lidhje me takimin e nesërm në Bruksel, në kuadër të dialogut Kosovë – Serbi, ka thënë se Kosova nuk duhet të fokusohet në sanksionet që duhen t’i vendosen Serbisë, por në heqjen e tyre për Kosovën.
Abrashi, në emisionin “FIVE”, ka thënë se në këtë takim nesër Kurti duhet të përfaqësojë shtetin e tij dhe interesat e popullit dhe jo të merret me sanksionet që BE-ja duhet të vendosë ndaj Serbisë.
“Pala kosovare të mos fokusohet në sanksionet që duhen t’i vendosen Serbisë, por në heqjen e tyre për Kosovën. Kurti të përfaqësojë shtetin e tij”, ka thënë Abrashi.
Abrashi ka thënë se Kosova duhet të tregohet e gatshme që tani e tutje të zbatojë marrëveshjet që janë arritur ndër vite, pasi është në favor pas sulmit terrorist në Banjskë.
“Pasi kemi kthim mbrapa në favor të Kosovës të tregohet e gatshme për të implemntuar marrëveshjet që kemi arritur ndër vite, por këtë ta bëjë duke siguruar që Asociacioni të mos ketë kompetenca ekzekutive”, ka vijuar Abrashi.
Sipas tij, Kurti nuk duhet të kushtëzojë dialogun me masa ndaj Serbisë.
Ndryshe, të enjten në Bruksel, Kurti dhe Vuçiq pritet të mbajnë takime ndarëse me presidentin e Francës, Emmanuel Macron, kryeministren e Italisë, Giorgia Meloni, kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz dhe shefin e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell.