Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ka njoftuar se ende nuk janë arritur standardet e përcaktuara për të bërë ujin e Badocit të pijshëm për konsum, por sipas tyre, nuk ka arsye për panik.
“Analizat e fundit laboratorike tregojnë se akoma nuk janë arritur standardet e përcaktuara në Udhëzimin administrativ nr. 10/2021 – Cilësia e Ujit për konsum nga njeriu”, thuhet në njoftimin e IKSHK-së.
Ekipet e IKSHPK-së janë në terren dhe po bëjnë analiza fiziko-kimike të ujit të prodhuar në Fabrikën që furnizohet nga Liqeni akumulues i Badocit.
Në njoftim theksohet se qytetarët do të njoftohen në kohë për normalizimin e parametrave referentë të ujit të pijshëm.
IKSHPK bën thirrje për qytetarët që furnizohen nga fabrika e ujit në Liqenin e Badocit që:
- Uji mund të përdoret për pastrim, mirëmbajtje të higjienës dhe ambienteve të banimit si dhe për nevoja të tjera.
- Uji nuk duhet të vlohet para përdorimit për shkak të mundësisë së koncentrimit të manganit.
- Uji në rajonet që furnizohen nga liqenet akumulues Batllava dhe Ujmani mund të përdorën për pije pa kufizim.
Zonat të cilat mbesin nën përcjellje të vazhdueshme për cilësinë e ujit për pije nga fabrika e ujit në Badovc janë: Qyteza e Graçanicës, fshatrat e Graçanices qe furnizohen nga ITUP Badovc, përveç fshatrave që furnizohen nga NJOU Lipjan, Hajvalia komplet, lagjet Veterniku, Lagjet 038 dhe të gjitha të tjerat që gravitojnë në brezin Graçanicë – Prishtinë, pastaj Lagjet Qëndresa, Qëndresa Home, Swiss Village, fsh. Preoc, Çagllavicë, Rruga Behar Begolli, Richard Holbrooke, Qendra Albi Mall, Rruga Shkupi, Holger Petersen, Malush Kosova, objektet individuale nga rruga Malush Kosova, deri te “kisha në Matiçan”, zonat në drejtim të zonës industriale drejtimi për Lipjan, Lagja Qershia, Lagja NIC, zona afër Xhamisë në Veternik, Matiçan drejtimi nga Pallati i Drejtësisë, fshati ndërkombëtar, Mati- rruga Muharrem Fejza me të gjitha rrugicat drejtimi deri te QKUK, rruga Enver Maloku, objektet në lagjen Kodrina, objektet Tregtia, Iliria Building, objektet e Standardit (Sociale) dhe objektet e kyçura direkt në linjat magjistrale Badovc Prishtinë, rruga Ferat Dragaj, Hajrullah Abdullahu, Hilmi Rakovica, Vllezërit Gërvalla, Afrim Zhitija, Armend Daci, Dervish Rozhaja, Thimi Mitko, pjesa e zonës “te Xhambazët”, rruga Sali Nivica, Norbert Jokl, Thimi Mitko, objektet banesore në Bregun e Diellit zonat Qendër dhe zonat e tjera afër Qendrës Tregtare në brezin rrugor Xheladin Rekaliu deri te kryqëzimi i rrugës te konviktet, zonat afër shkollës Ismail Qemali, rrugët Mehmet Gradica, Hyzri Talla, Qamil Bala.
Më 19 tetor, IKSHPK-ja kishte njoftuar se uji që vjen nga Badoci nuk mund të përdoret për shkak se është gjetur vlerë e lartë e manganit.