Në 21 vjetorin e vrasjes së ish-kryetarit të Suharekës, Ukë Bytyqi, kryetari i LDK-së Lumir Abdixhiku me bashkëpunëtorë e familjarë kanë bërë homazhe në nderim të jetës dhe veprës së tij.
“21 vjet më parë, pikërisht në 27 tetorin e vitit 2002, tinëzisht iu ndal në gjysmë aktiviteti politik e atdhetar, veprimtarit të madh, kryetarit të komunës së Suharekës, Ukë Bytyçi dhe dy shoqëruesve të tij, Bafti Bajrami dhe Bajram Bytyçi, pikërisht në festën e madhe të fitores së LDK-së në Suharekë”, ka njoftuar LDK.
Në këtë njoftim thuhet se vrasja e Ukë Bytyçit ishte “shprehje e pafuqisë për ta mposhtur atë vetëm në këtë mënyrë”.
“Ukë Bytyçi, ishte personalitet shumëdimensional, ai do kujtohet e respektohet gjithmonë si patriot e atdhetar i madh, e njeri me vlera të larta njerëzore që jetën ia kushtoi Kosovës. Si student, Ukë Bytyçi ishte një ndër prijatarët në demonstrata kundër regjimit serb, pastaj themelues i degës së LDK-së në Suharekë, ku në zgjedhjet lokale të pasluftës u zgjodh kryetar i Suharekës për dy mandate”, thuhet në njoftimin e LDK-së.
Mes tjerash në këtë njoftim thuhet se veprimtaria e tij kombëtare ishte arsyeja që ai u burgos nga okupatori serb.
“Edhe gjatë luftë çlirimtare të viteve 1998-1999 ai u rreshtua krah ushtarëve tanë kundër armikut duke u bërë pjesë aktive e luftës dhe rezistencës kundër aparatit shtetëror serb. Formimi i tij si karakter njerëzor e atdhetar nuk e duronte dot robërinë, këtë e dëshmoi përgjatë gjithë jetës”, thuhet në reagim.