Policia e Kosovës vazhdon të sigurojë informacione e prova të reja rreth sulmit terrorist të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit.
Së fundi, në një video të siguruar nga Kallxo.com shihen pamjet kur njerëzit e Millan Radoiçiqit sulmojnë policinë me zolla natën e 24 shtatorit.
Në video shihet një terrorist nga grupi i Radoiçiqit, i cili me një zoll në krahë, i ulur në gjunjë, sulmon Policinë e Kosovës.
Ndërsa, edhe në videon e dytë një material i filmuar nga kamerat e sigurisë shpërfaq momentet kur grupi i Milan Radojçiqit ka sulmuar Policinë e Kosovës.
Këto filmime janë pjesë e dosjes hetimore të Policisë së Kosovës.
Ndryshe, mëngjesi i hershëm i së dielës të 24 shtatorit e gjeti Banjskën e Zveçanit nën sulme të një grupi serbësh prej më shumë se 30 personave të armatosur rëndë, ku si pasojë mbeti i vrarë rreshteri i policisë Afrim Bunjaku si dhe u plagos pjesëtari i policisë, Alban Rashiti.
Sulmi zgjati për disa orë. Njësia Speciale e Policisë së Kosovës, arriti që të futej brenda Manastirit të Banjskës, ku ndodheshin grupi kriminal serb i armatosur së bashku me dhjetra pelegrinë.
Policia gjeti sasi të madhe të armatimit brenda manastirit, e po ashtu brenda automjeteve që gjendeshin pranë manastirit, të cilat u publikuan më pas bashkë me disa dokumentacione nga Policia e Kosovës, kryeministri i vendit, Albin Kurti si dhe ministri i punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
Sipas informacioneve zyrtare gjatë këtij sulmi tre terroristë mbetën të vrarë.