Qeveria e Bullgarisë nuk do ta heqë veton, me të cilën e mban të bllokuar Maqedoninë e Veriut në rrugën drejt Bashkimit Evropian, këtë e ka bërë të ditur Kryetari i Kuvendit të Bullgarisë, Nikolla Minçev.
Sipas tij, kjo është një temë që mund të përdoret shumë për qëllime politike.
“Nuk ka asnjë arsye reale për të thënë se do të devijojmë nga interesi kombëtar i Bullgarisë”.
“Qëndrimi i Bullgarisë për këtë çështje është i qartë dhe ne presim zbatimin e Marrëveshjes së fqinjësisë së mirë dhe miqësisë dhe marrëveshjeve të tjera”, ka thënë Minçev për “BNR”.
Bullgaria në vitin 2019 kishte bllokuar procesin e Integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut, duke e kushtëzuar konferencën e parë ndërqeveritare me zgjidhjen e dallimeve lidhur me gjuhën, identitetin maqedonas dhe të kaluarën historike.
Sofja kishte kërkuar nga Maqedonia e Veriut të njohë rrënjët bullgare në gjuhën dhe identitetin maqedonas.