Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku ka kritikuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti për “mostransparencë” në lidhje me takimin e 26 tetorit në Bruksel duke thënë se ende nuk dihet se çfarë drafti për Asociacionin është pranuar.
Ai ka thënë se që nga dorëzimi i draft-statutit të Asociacionit nga pesëshja perëndimore tek Kurti, populli i Kosovës është në “terr informativ”.
Abdixhiku e ka quajtur Kurtin “arkitekt të mashtrimit” duke thënë se Asociacioni ia zhbën kauzën jetësore të tij.
“Sot, bëhen një javë që nga dorëzimi i Draftit të Statutit të Asociacionit nga pesëshja e emisarëve tek kryeministri i Kosovës. Që nga ajo ditë Kosova dhe populli i Kosovës janë në terr të plotë informativ. Tre ditë më parë, në prani të udhëheqësve kryesorë evropianë, ky dokument, u pranua për herë të parë nga kryeministri i Kosovës. Për herë të parë sepse kurrë më parë nuk kishim patur një dokument statuti. Kurrë më parë nuk ishte arritur kaq larg. Tani, yjet politike janë përplot ironi. Ato, arkitektit të mashtrimit, dhunës e përplasjeve një dekadëshe ndërshqiptare i përcaktojnë fatin e bërjes së Statutit të Asociacionit për serbët dhe kështu zhbërjes së kauzës jetësore të tij. Çfarë fati i trishtë politik”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook.
Ai tutje ka ironizuar duke thënë se “obligimet ndërkombëtare nuk kanë alternativë, dalldisjet populliste janë veçse përkeqësim dhe se Asociacioni nuk mund të shmangej si detyrim” duke theksuar se detyrimet nuk mund të shmangeshin, por se u humb kohë.
“Fati i tillë megjithatë nuk ka fare rëndësi. Rëndësi ka të kuptojmë atë që duhej ta kuptonim një dekadë më parë. Se obligimet ndërkombëtare nuk kanë alternativë. Se dalldisjet populliste janë veçse përkeqësim. Se Asociacioni nuk mund të shmangej si detyrim. Vetëm se humbëm kohë, humbëm mundësi, përfunduam aty ku ishim në fillim. Këtë herë pa njohje, pa marrëveshje finale, e përplot dialog në vazhdimësi. Dhe mbi të gjitha, pa ndonjë shpjegim për një popull të tërë se çfarë ka pranuar Kosova në relacion me Serbinë”, ka vijuar ai.
Abdixhiku ka ftuar institucionet e vendit të shpalosin draftin e pranuar publikisht para qytetarëve dhe kryeministrin ta prezantojë atë draft në Kuvend.
“I ftoj institucionet e vendit të shpalosin draftin e pranuar publikisht para qytetarëve tanë. E ftoj kryeministrin ta prezantojë atë draft në Kuvend. Koha të bëjmë Kosovën. Pa mashtrues e popullistë! Janë të kushtueshëm, na humbin kohë e na lënë në vendnumërim. Koha të ecim me aleatë. Drejt NATO-s e Bashkimit Evropian”, ka përfunduar ai.
Ndryshe, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë të premten, në një konferencë për media, se drafti që i kanë propozuar emisarët perëndimorë më 21 tetor në Prishtinë është shkruar me kujdes dhe në përputhje me kushtetutën e Kosovës.
“Drafti për vetëmenaxhim, që e kanë sjellë, është shkruar me kujdes ndaj shkronjës dhe Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës, dhe që nëse do të nënshkruhej, aty parashihej që ta kontrollonte Gjykata Kushtetuese menjëherë, pra që Gjykata Kushtetuese jep vlerësimin për kushtetutshmërinë e këtij propozimi si përgjigje”, ka thënë Kurti.
I pyetur për hollësitë e planit të prezantuar nga emisarët perëndimorë më 21 tetor, Kurti ka thënë se dëshiron ta respektojë kërkesën që dokumenti të mos bëhet publik.