Minatorët e Trepçës janë duke e vazhduar ditën e shtatë të grevës së urisë. E gjatë këtyre ditëve, dhjetëra grevistë kanë pasur nevojë për trajtim mjekësor.
Kërkesat e minatorëve janë që pagat t’u dalin me kohë, të ketë përmirësim të kushteve të punës, sigurime shëndetësore dhe shkarkim të menaxhmentit.
Grevistëve të shtunën u janë bashkuar edhe punonjëset gra të administratës.
Ndërkaq, Dukagjini merr vesh se gjatë së shtunës një delegacion nga qeveria ka vizituar sindikatën, por që nuk kanë arritur në një marrëveshje paraprake.
Këtë grevë e kanë përkrahur edhe Punëtorët e Bashkuar të Minierave të Amerikës.
Në letrën që Punëtorët e Bashkuar të Minierave të Amerikës i kanë dërguar kryeministrit Albin Kurti, thuhet se ata përkrahin grevën e mbi 700 punëtorëve të Trepçës, ndërsa kërkojnë zgjidhje nga qeveria sa më shpejt, transmeton Telegrafi.
“Punëtorët e Bashkuar të Minierave të Amerikës (UMWA) u formuan në vitin 1890 për të luftuar për sigurinë, pagat e drejta dhe dinjitetin e minatorëve – burrave dhe grave që punojnë në një nga profesionet më të rrezikshme në botë për të fuqizuar kombin e tyre dhe për të siguruar materialet jetike të nevojshme për infrastrukturën”, thuhet në letër.
Sipas tyre, për 133 vitet e fundit, ata kanë mbrojtur të drejtat e minatorëve në Shtetet e Bashkuara dhe Kanada.
“UMWA me krenari përkrah 710 vëllezërit dhe motrat tona kosovare të Minatorëve të Sindikatës së Pavarur të TREPÇES-it, të cilët janë në grevë urie në TREPÇE KOSOVË që nga 24 tetori 2023”, thuhet në letër.