Katër palestinezë janë vrarë mëngjesin e së hënës në Xhenin, në Bregun e pushtuar Perëndimor, tha Ministria palestineze e Shëndetësisë, përderisa forcat izraelite janë përleshur me palestinezët.
Ministria tha se edhe pesë palestinezë janë plagosur, përshirë edhe dy që kanë pësuar lëndime serioze.
Mediat izraelite kanë raportuar se ka pasur shkëmbim të ashpër të zjarrit midis forcave izraelite dhe palestinezëve dhe Xhenin dhe ka pasur edhe sulme me dronë.
Dhuna në Bregun Perëndimor është rritur qëkur ka nisur lufta mes Izraelit dhe militantëve palestinezë të Hamasit në Gazë më 7 tetor. Që atëherë, forcat izraelite dhe kolonët hebrenj kanë vrarë 115 palestinezë, përfshirë 33 të mitur. Këto shifra u paraqitën të dielën nga Zyra e Kombeve të Bashkuara për koordinim të çështjeve humanitare.
Kjo zyrë tha se gjysma e viktimave janë shkaktuar gjatë përleshjeve që kanë pasur operacionet e bastisjeve të Izraelit.
Javën e kaluar, presidenti amerikan, Joe Biden, dënoi dhunën e kolonëve hebrenj ndaj palestinezëve në Bregun Perëndimor.
SHBA-ja po ashtu i ka kërkuar Izraelit që të “frenojë” kolonët ekstremistë hebrenj në Bregun Perëndimor.
“Është plotësisht e papranueshme që kemi dhunë të kolonëve ekstremistë ndaj njerëzve të pafajshëm në Bregun Perëndimor”, tha më 29 tetor këshilltari për siguri kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, Jake Sullivan. /REL