Zyra e Prokurorit të Specializuar i ka konfirmuar bastisjet në shtëpitë e dy ish-këshilltarëve të Hashim Thaçit, Blerim Shala dhe Bashkim Smaka.
Në një përgjigje për Dukagjinin, ata kanë konfirmuar, por nuk kanë dhënë detaje në lidhje me rastin.
“Prokuroria e Specializuar (SPO) është duke zhvilluar operacione të vazhdueshme në Kosovë. Operacionet e PSP-së po mbështeten nga Policia e Kosovës dhe Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX)”, thuhet në përgjigje.
Kujtojmë se gjatë ditës së hënë, Shala dhe Smaka kanë qenë cak i bastisjeve të Speciales.
Bastisjet ndaj Shalës i ka konfirmuar vetë avokati i tij, Artan Qerkini, i cili ka thënë se bastisja ka qenë e shkurtër dhe se për shpalosjen e detajeve të tjera do të konsultohet gjatë ditës me Shalën, klientin e tij.
Ndërkaq, nga shtëpia e ish-shefit të AKI-së, Bashkim Smaka, Dukagjini ka raportuar nga vendi i ngjarjes.