Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural ka bërë të ditur se që nga sot ka hapur periudhën për aplikim për disa nga masat mbështetëse në kuadër të Programit për Zhvillim Rural 2023 për të gjithë fermerët, agropërpunuesit dhe bizneset rurale në gjithë territorin e Kosovës.
Buxheti për këto masa për zhvillim rural, “këtë vit arrin në 24,6 milionë euro”.
Thirrjet për aplikim janë hapur për Masën 1 “Investimet në asetet fizike në ekonomitë bujqësore”, Masën 3 “Investimet në asetet fizike në përpunimin dhe tregtimin e prodhimeve bujqësore”, Masën 7 “Diversifikimi i fermave dhe zhvillimi i bizneseve”, Masa 5 “Zbatimi i strategjive të zhvillimit lokal – qasja LEADER”.
Për të gjitha procedurat e aplikimit dhe dokumentacionin e nevojshëm, Agjencia për Zhvillimin e Bujqësisë ka përgatitur udhëzues për aplikues, të cilët do t’i gjeni në ueb- faqen www.azhb-ks.net dhe www.mbpzhr-ks.net.
Sipas njoftimit, të gjithë të interesuarit mund të informohen edhe në Zyrat Rajonale të AZHB-së.
Në njoftim bëhet e ditur se thirrja për aplikim “do të jetë e hapur deri më 29.11.2023 ora 16:00 dhe të gjithë të interesuarit aplikimin mund ta bëjnë përmes ueb-modulit online në ueb-faqen e AZHB-së www.azhb-ks.net, në të cilën, gjendet linku: “Aplikimi online për PZHR” që dërgon në modulin e aplikimit online. Në këtë ueb-modul regjistrohet projekti, si dhe ngarkohen të gjitha dokumentet e nevojshme për aplikim”.
Ndryshe, përmes Programit për Zhvillim Rural 2023, MBPZhR-ja synon të mbështesë aftësitë konkurruese të sektorit agrorural, rritjen e prodhimit dhe të produktivitetit, përmirësimin e sigurisë së ushqimit, përdorimin e teknologjisë moderne, diversifikimin e aktiviteteve në ferma dhe biznese rurale, mbrojtja e mjedisit dhe të resurseve natyrore, krijimin e vendeve të punës dhe në menaxhimin e qëndrueshëm të burimeve natyrore.