Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, të martën është takuar me kryetarin e Federatës Pan-Shqiptare “Vatra”, Ilmi Berisha.
Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj ka thënë se anëtarësimi i Kosovës në NATO është nevojë urgjente, teksa ka theksuar se shqiptarët që jetojnë e veprojnë prej vitesh në Amerikë, janë shembulli më i mirë i atdhedashurisë dhe i përkushtimit ndaj kombit.
“Ata kaluan Atlantikun, por lidhjen me atdheun nuk e shkëputën asnjëherë dhe vazhdojnë të luajnë një rol të rëndësishëm edhe sot në rrugën e integrimeve të Kosovës. Njëherësh ritheksova nevojën e vazhdimit të përkrahjes së tyre për Kosovën, si për zhvillimin ekonomik të saj, ashtu edhe në temat e rëndësishme që na presin në të ardhmen, veçanërisht në procesin e anëtarësimit në NATO, si një nevojë urgjente e cila garanton më shumë siguri dhe paqe në rajon”, ka shkruar Haradinaj.