Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se për vitin 2024 buxheti do të jetë 3 miliardë e 314 milionë euro.
Në adresimin e tij në mbledhjen e Qeverisë, Kurti ka thënë se do të rriten pagat në sektorin publik dhe se koeficienti i pagave do të jetë 110 euro.
“Për vitin 2024 buxheti do të jetë 3 miliardë euro e 314 milionë euro. Koeficienti i pagave për vitin 2024 do të jetë 110 euro, këtë po e realizojmë, jemi duke i rritur pagat në sektorin publik”, ka thënë Kurti.
Shefi i ekzekutivit ka theksuar se buxheti është rritur si asnjëherë më parë.
“Menaxhuam pandeminë, jo vetëm që menaxhuam këto kriza me sukses, po arritëm të rrisim ekonominë, vendet e punës si asnjëherë më parë, ekonomisë iu shtuan 60 mijë vende pune, kjo si rezultat i politikave e masave të suksesshme për rritje të punësimit, mbështetëm bujkun me subvencione të rritura, bujqit vendorë, mbështetëm bizneset dhe punësimin e komuniteteve joshumicë, familjet pa asnjë të punësuar përmes masës Qeveria për familjet, mbështetëm punësimin e fëmijëve me aftësi të kufizuara, asnjë qeveri para kësaj tonës nuk kanë bërë kaq shumë masa për krijimin e vendeve të reja të punës, rritëm të hyrat buxhetore pa e ndryshuar asnjë politikë fiskale”, ka thënë Kurti.
Kështu që qeveria e ka miratuar të martën projektligjin për buxhetin e vitit 2024 në vlerë prej 3.3 miliardë euro, një rritje e vogël krahasuar me buxhetin e vitit të kaluar.
Projektligji për buxhetin do të dërgohet në Kuvendin e Kosovës për shqyrtim dhe miratim.