Kryetari i Nismës, Fatmir Limaj, në emisionin “Reload” në RTV Dukagjini, ka thënë se përcaktimi i tij për profesion ishte të jetë një jurist dhe në atë drejtim ka filluar studimet, por ngjarjet e atëhershme në vend e kanë bërë të zgjedhë politikën.
“Përcaktimi jetësor i joni nuk ka qenë i zgjedhur politika, rrethanat e tilla kanë qenë në Kosovë. Unë e kam dashur profesionin tim si jurist edhe si fëmijë e kam dashur e jam orientuar në këtë drejtim”, ka thënë Limaj.
Limaj ka thënë se profesioni i juristit është i jashtëzakonshëm dhe është profesioni “më i gjallë” dhe se sipas tij, nuk është një profesion jo atraktiv.
“Diferenca tek juristi është sa arrin t’i ngjallë shkronjat. Ligji është i gjallë, nuk është lexim. Prandaj dhe Kosova ka pak interpretues të ligjeve si jurist sepse çdo shkronjë në ligj, çdo nen është i gjallë. Ai përcakton rregullat, ai ta vendosë jetën, ai t’i zgjidhë problemet”, ka thënë tutje ai.
Limaj është shprehur se juridikun e ka shfrytëzuar edhe në politikë.
“Nuk kam hequr dorë nga profesioni, e kam shfrytëzuar edhe në politikë. Më ka shërbyer shumë në detyra, funksione, në Parlament si ligjvënës. Parlamenti është vendi ku bëhen ligjet edhe pa pasë profesionist mund të nxjerren ligje të këqija”, ka shtuar kryetari i Nismës.