Në mbledhjen e Kryesisë së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, është diskutuar për situatën politike në vend.
Në njoftimin e AAK-së, thuhet se Aleanca “insiston në zbatimin sa më parë të obligimeve të marrura nga ana e Qeverisë së Kosovës në dialog, si një hap që përshpejton rrugën integruese të Kosovës e veçanërisht perspektivën tonë për anëtarësim në NATO”.
Nisja e procesit për anëtarësimin e Kosovës në NATO, sipas AAK-së duhet të trajtohet si urgjencë.
“Vetëm si anëtare e saj, Kosova është e sigurtë dhe me një të ardhme për zhvillim dhe stabilitet”, vijon njoftimi.
Gjithashtu, Kryesia e AAK-së e sheh me shqetësim mosveprimin e Qeverisë ndaj kërkesave të minatorëve të Trepçës në ditën e tetë të grevës së tyre.
“AAK vlerëson se kërkesat e tyre janë të drejta dhe legjitime si dhe i kërkon Qeverisë që sa më parë të marrë veprime për plotësimin e tyre”.