Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka folur mbrëmë për sulmin në Banjskë duke thënë se autorët e sulmit duhet të japin përgjegjësi të plotë në përputhje me sundimin e ligjit.
Më tutje, ai ka thënë se ajo që ndodhi më 24 shator në Banjskë ishte e tmerrshme.
“Autorët e sulmit duhet të japin përgjegjësi të plotë në përputhje me sundimin e ligjit. Kjo përfshin përgjegjësinë e Serbisë për të hetuar, arrestuar, ekstraduar apo ndjekur penalisht çfarëdo të dyshuari që mund të ketë ikur në Serbi. Ky mbetet qëndrimi i qeverisë sime”, ka thënë Hovenier.
“Qeveria amerikane po përfundon vlerësimin e saj të përgjegjësisë. Ende nuk e kemi përfunduar. Por do të përsëris atë që kemi thënë më parë, ata që janë përgjegjës për këtë vepër kriminale, për vrasjen e një polici, për kërcënim të sigurisë dhe të stabilitetit të Kosovës duhet të mbajnë përgjegjësi. Dhe do të punojmë me partnerët tanë kosovarë dhe të tjerët për të siguruar që kjo të ndodhë”, tha ambasadori Hovenier, raporton Gazeta10, përcjell Dukagjini.
Ai ka përfunduar duke theksuar se qëndrimi i Qeverisë së SHBA-së nuk ka ndryshuar sa u përket ngjarjeve të 24 shtatorit në Banjskë.