Raportimin pas publikimit të Draft-statutit për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, i propozuar nga Bashkimi Evropian më 21 tetor, është demantuar nga Qeveria e Kosovës.
Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, në një postim në Facebook, ka thënë se dokumenti që është publikuar mbrëmë si “draft-statut i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe” absolutisht nuk përkon me propozimin evropiano-amerikan që i është dorëzuar kryeministrit Kurti në takimin e 21 tetorit si plan për ecjen përpara.
“Dokumenti që është publikuar dhe që ka qarkulluar mbrëmë në disa portale dhe televizione si “draft-statut i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe” absolutisht nuk përkon me propozimin Evropiano-Amerikan që i është dorëzuar kryeministrit Kurti në takimin e 21 tetorit si plan për ecjen përpara”, ka shkruar ai.
Ndryshe, Draft-statuti për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, i propozuar nga Bashkimi Evropian më 21 tetor, “siguron një vetëqeverisje kornizë me autonomi substanciale për komunitetin e serbëve të Kosovës”.
Objektivat kryesore në draft-statut raportohet të jenë, “Zbatimi i Marrëveshjes bazë të vitit 2013 e ratifikuar nga Kosova dhe e marrëveshjes së vitit 2015, siguron një vetëqeverisje kornizë me autonomi substanciale për komunitetin e serbëve të Kosovës, mbrojtje e dyfishtë”.
Ky draft-statut ka një përmbajtje prej 11-faqesh dhe përmban në të shkruar parimet, objektivat e kompetencat e themelimit të Asociacionit.