Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka reaguar pas protestës së Njësisë Speciale Intervenuese para ndërtesës së Qeverisë.
Përmes një postimi në Facebook, ajo ka shpërndarë një fotografi të policisë duke protestuar, teksa ka thënë se këto janë pamje që dhembin deri në palcë, duke shtuar se heronjtë me të cilët krenohet Kosova detyrohen të protestojnë për realizimin e kërkesave esenciale.
“Pamje që dhemb deri në palcë. Heronjët me të cilët krenohemi, detyrohen të protestojnë për realizimin e kërkesave më bazike”, ka shkruar Çitaku.
Ndryshe, sot, pjesëtarët e Njësitit Special Intervenues dhe Njësia për trajtimin e mjeteve eksplozive kanë protestuar para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës të mërkurën, duke kërkuar kushte më të mira.
Ata i kanë shprehur pakënaqësitë e tyre lidhur me shtesat që u janë ndarë nga Qeveria e Kosovës.
“Njësia Speciale Intervenuese dhe Njësia për trajtimin e mjeteve eksplozive jemi mbledhur para objektit të Qeverisë së Kosovës për të protestuar dhe për të shprehur pakënaqësitë tona në lidhje me kategorizimin e rrezikshmërisë në punë sidomos përfshirjen e shtesave të parapara me ligj. Këto dy njësi janë të trajnuara dhe përgatitura me standardet më të larta ndërkombëtare, operatorët e këtyre njësive janë të specializuar dhe certifikuar në luftën kundër terrorizmit, lirimin e pengjeve dhe në rastin ku cenohet siguria kombëtare përkatësisht janë të specializuara në trajtimin e kërcënive me eksploziv dhe bomba gjithashtu edhe në situata ku rrezikshmëria vlerësohet tejet ekstreme prandaj jemi njësitë elite të Kosovës”, ka thënë një nga pjesëtarët e NJSI-së.
Ai ka thënë se si njësi janë të përgatitur dhe të barabartë me njësitë elite të botës.