Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka thënë se sot është dashur të fillojë regjistrimi i popullsisë në Kosovë, ndonëse e ka cilësuar këtë si vonesë të madhe.
Krasniqi ka thënë se regjistrimin e popullsisë po e pamundëson kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, vonesën e të cilit e ka quajtur edhe shkelje ligjore.
“Sot është dashur të filloj regjistrimi i popullsisë në Kosovë, edhe pse me vonesë të madhe. Por, siç e kam thënë publikisht me 5 korrik, me 24 gusht dhe shumë herë të tjera deri sot, regjistrimin e popullsisë po e pamundëson Kryeministri Kurti”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.
Ai e ka akuzuar Kurtin se e “ka politizuar skajshëm me ndërhyrje partiake Agjencinë e Statistikave të Kosovës si dhe ka humbur kontrollin faktik në pjesën veriore të vendit”.
“Kryeministri i di mirë shifrat e larta të qytetarëve që e kanë lëshuar Kosovën, prandaj po frikësohet nga zyrtarizimi i tyre. Përtej paaftësisë qeverisëse, ky (mos)veprim i Qeverisë është edhe shkelje ligjore”, ka vijuar Krasniqi.