Një fushë në rajonin e Drenicës tashmë i kujton ferrin që kishte kaluar, mllefin që i ishte grumbulluar dhe dhimbjen që përjetoi për fëmijët e saj.
Ishte rreth të 30tave, kur kjo grua që pranoi ta flas për RTV Dukagjinin nën kushte anonimiteti, ishte dhunuar seksualisht nga kriminelë serbë.
Ajo ishte mesin dhjetëra grave të tjera që u dhunuan atë ditë, e rrëfimin e saj më të rëndë e bënë pjesa kur tregon se edhe fëmijët e saj, ishin viktima të dhunimit.
Dhe në rastin e saj, nuk ishin mjaftuar vetëm me dhunimin, pa i lënë një plagë tjetër.
“Mas pari ka nga vajza. Kur ka nga vajza e kanë kap. Djali i ka pas flokët e gjata, që thojshin po i marrin prej 14 vjete djemtë. Tonë luftën ia rrita flokët, thojsha me mbrojtë. Po s’ish kanë për me mbrojt se ma zi ja bonën. Menojshim na femrat që veç kemi me ik nëpër fshatra po që bohet ma zi, nuk e kemi mendu kurrë. E kapën edhe djalin, me një rreth në kry u kanë. Na morrën mua, djalin edhe qikën. M’kanë ra thikë. Kur m’ka mbulu gjaku kanë piskat fëmija. Para se me m’ra thikë njëherë m’kanë dhunu. Pastaj, m’ranë e më humbi vetëdija. Vetëdija i ishte kthyer nga britmat e fëmijëve që ishin dhunuar”, tha ajo
Në atë gjendje, ishin zhvendosur nga fusha ku ishin kryer krimet në drejtim të një objekti.
“Për fat jam kanë shokë e poshtë ende me gjak, s’kishe as ku pastrohesh. M’kanë ra shkelm. Serbisht ka fol, e nuk e di çka ka thanë por që kishte “kjo s’koka mbet për kurgjo”, tha ajo.
Përveç tmerrit personal që kishin përjetuar, ata ishin edhe dëshmitarë të vrasjes së 20 pleqve.
Me përfundimin e luftës erdhi edhe koha për tu kthyer në shtëpi, në krahët e bashkëshortit tek i cili gjeti edhe mbështetjen.
Megjithatë gratë kishin edhe një hall.
“Fëmija tani kishin qejf, u gëzun kurse nanat jonë kanë të traumatizune për fëmijët e vet. Krejt nanat thojshin “Qysh kthehmi na, qysh jemi t’u u kthy?, çka do të bojmë na, qysh do ta përjetojmë këtë send krejt jetën”, tha ajo.
Përjetimet e rënda e kishin quar në tentime që t’i jap fund jetës së saj.
Tash e disa vjet, ajo trajtohet në Qendrën Kosovare për Rehabilitimin e të mbijetuarëve të Torturës.
Derisa mblodhi forcën që për herë të parë të tregojë historinë e saj për një medium, thirrja e saj për gratë ishte që historitë e tyre të mos i mbajnë për vete, por të jenë dëshmitare të gjalla të historisë së vendit në sytë e botës.