Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, gjatë orëve të pasdites ka reaguar pas protestës së pjesëtarëve të Njësitit Special Intervenues, (NjSI), të cilët u mblodhën sot para ndërtesës së Qeverisë. Sveçla, në këtë postim u arsyetua se pse nuk po plotësohen kërkesat e tyre.
E sipas analistit, Dibran Hoxha, kur Qeveria e “shpresës dhe e 51 përqindëshit” nis të gjejë arsyetime të pabaza, del qesharake.
“Çështja është se një qeveri e shpresës dhe 51 përqindëshit kur ia nis të gjejë arsyetim dhe justifikime, të cilat janë të pabaza, atëherë del absurde dhe qesharake”, ka thënë Hoxha.
Ndërsa, Sveçla ka shkruar se Kosova është vend i varfër dhe me buxhetin më të vogël në Evropë, por se ky vend është e themeluar mbi sakrificën e luftës për liri, me akte heroike dhe humbje në njerëz.
“Mbrojtësit e Republikës sot janë njerëzit më të vlerësuar prej popullit të Kosovës. Kërkesat janë të shumta dhe ka kategori shoqërore të cilat kanë shumë vështirësi përgjatë jetesës së tyre. Si Ministri e Punëve të Brendshme, nga 9 agjenci ekzekutive, Policia e Kosovës ka pasur mbështetje dhe fokus të veçantë me qëllim të mobilizimit në luftimin e krimit, kontrabandës, mbrojtjen e integritetit territorial dhe sovranitetit. Nga vetë Policia e Kosovës, Njësitë Speciale kanë pasur dhe vazhdojnë të kenë mbështetjen më të madhe si në aspektin financiar, ashtu edhe me ngritjen në strukturë”, ka shkruar Sveçla në Facebook.
Ministri Sveçla, ndër të tjera, ka thënë se me marrjen e mandatit, pjesëtarët e Njësive Speciale të Policisë së Kosovës i ka gjetur pa uniforma, pa pajisje mbrojtëse për jetën e tyre, pa kushte të punës e me ushqim të mangët e jocilësor.
Ai ka thënë se të ardhurat mesatare mujore gjatë këtij viti të policëve që protestuan sot janë mbi 2.200 euro.
“Nga marrja e mandatit, deri në votimin e buxhetit për vitin 2024, kemi rritje për mbi 30% në buxhetin total të Policisë, përderisa, në investimet kapitale kemi rritje për 300%. Nga viti 2021, buxheti për pajisje operacionale është 21-fishuar. Në vitin 2021, buxheti ka qenë më pak se gjysmë milioni për pajisje operacionale, ndërsa këtë vit është mbi 9 milion euro.
Për ne, ka qenë gjithmonë synim përmirësimi i kushteve të punës, sigurimi i pajisjeve që mbrojnë jetën e zyrtarit policor, si dhe trajtimi dinjitoz e i drejtë i tyre, teksa për dallim nga kohërat e mëhershme, kur kompensimet për angazhimet shtesë nuk janë zbatuar fare, ne kemi kompensuar ato pa vonesa. Të ardhurat mesatare mujore gjatë këtij viti të zyrtarëve që protestuan sot janë mbi 2.200 euro”, ka vijuar Sveçla.