Të hënën e 23 majit, Policia e Kosovës ka njoftuar se një person shtetas i Shqipërisë është arrestuar në Kllokot, pasi i njëjti, dyshohet se ka dhunuar një të mitur.
E njëjta, kishte lindur në spitalin e Gjilanit, ku fëmija dyshohet se ka ardhur në jetë si pasojë e veprës së lartcekur.
“Është arrestuar i dyshuari mashkull, shtetas i Shqipërisë pasi dyshohet se, i njëjti, ka kryer veprën e lartcekur ndaj të miturës kosovare. Rastin e ka raportuar nëna e viktimës pasi viktima kishte lindur në spitalin e Gjilanit, fëmijën jashtëmartesor”, thuhet në raportin e policisë.
Këtë rast, për Portali D e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani.
Po ashtu edhe Rabije Jakupi, nga departamenti për të mitur në Prokurorinë Themelore në Gjilan, ka thënë se në lidhje me këtë rast është duke e bërë kërkesën për paraburgim.
“Detaje tjera në lidhje me rastin nuk ka, pasi është në fazën fillestare dhe është një rast i ndjeshëm”, tha Jakupi.
Pas intervistimit, me vendim të Prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje, ndërsa rasti po vazhdon të hetohet.