Gjatë kësaj jave janë kryer bastisje në Kosovë ndaj ish-këshilltarëve të Hashim Thaçit nga Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS).
ZPS në një njoftim për media ka thënë se operacionet në Kosovë janë autorizuar nga Dhomat e Specializuara dhe janë mbështetur nga Policia e Kosovës dhe EULEX-i.
“Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) po kryen operacione në vazhdimësi në Kosovë në një proces hetimor që përqendrohet në vepra penale kundër administrimit të drejtësisë. Operacionet e ZPS-së këtë javë janë autorizuar nga ana gjyqësore prej Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) dhe janë mbështetur nga Policia e Kosovës dhe Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX)”, thuhet në njoftim.
Kujtojmë që gjatë kësaj jave janë kryer bastisje në shtëpinë e Artan Behramit, të Bashkim Smakajt dhe të Blerim Shalës, të tre ish-këshilltarë të Thaçit. Specialja ka bastisur edhe shtëpinë e ish-kryetarit të Komunës së Malishevës, Isni Kilaj.
Ish-këshilltari i Thaçit, Artan Behrami, pas përfundimit të bastisjes së banesës së tij, para mediave ka thënë se bastisje të tilla kanë qëllim frikësimin e qytetarëve.
“Ata nuk vijnë për të marrë diçka por për të tërhequr vëmendje mediale dhe për të ndjellë frikë. Por ne nuk jemi frikësuar as në luftë e as nga regjimi i Millosheviqit e as nuk i frikësohemi as kësaj Prokurorie”, ka thënë Behrami, duke shtuar se janë krenarë me punën që kanë bërë me ish-presidentin Hashim Thaçi.
Ndërsa, familjarët e Bashkim Smakajt, ish-këshilltarit të Hashim Thaçit, janë shprehur të habitur dhe të shqetësuar pas bastisjes së shtëpisë së tyre nga Gjykata Speciale.
Një prej familjarëve ka treguar se nuk e kanë pritur këtë bastisje dhe nuk e dinë arsyen e saktë të saj, duke theksuar se kanë dëgjuar për bastisjet në mediat, por nuk kanë pasur informacione të detajuara mbi arsyet e kësaj bastisjeje.
“Ne nuk dimë asgjë rreth bastisjeve, kemi dëgjuar edhe ne prej mediave. Nuk e kemi pritur këtë bastisje…Deshëm të shkojmë me shiku se çka po bëhet, me i ditë arsyet pse, nuk mundemi me hy deri të dalin policia… Zoti Smakaj më ka axhë, unë djalë të vëllait e kam… Nuk besoj që kemi, nuk kemi bërë kurrfarë vepre. Nuk janë të mira këto bastisje, këto janë do akuza të pavërteta, me dëshmitarë të rrejshëm. Gjithkush flet diçka edhe këta i marrin si diçka, po nuk ka asgjë”, ka deklaruar Hetem Smakaj, axha i Bashkim Smakajt.