Minatori Gani Osmani, në emisionin “Rreth e Rrotull” në RTV Dukagjini, ka thënë se mbrëmë pas mesnatës është bërë një marrëveshje në mes të deputetëve të Kuvendit të Kosovës dhe drejtorit për Monitorim për Ndërmarrje Publike, inxhinierëve të “Trepçës” e një grupi të punëtorëve.
Ai ka thënë se deputetët e LVV-së që ndërmjetësuan ishin: Armend Muja, Arjeta Fejza dhe Halil Thaçi.
Osmani ka thënë se deputetët e kanë dhënë një garancion për kërkesën e parë, që ishte mosvonesa e pagave. Sipas tij, deputetët kanë thënë se kjo nuk do të ndodhë më.
Për shkarkimin e kryeshefit ekzekutiv deputetët kanë propozuar që të hapet konkursi, përmes të cilit do të zgjidhet një kryeshef i ri ekzekutiv. Ndërsa, për kërkesën e fundit, përmirësimin e kushteve të punës, Osmani ka thënë se minatorët janë pajtuar që për këtë duhet të presin.
“Në një lloj mënyre, minatorët u kanë besuar deputetëve të Republikës së Kosovës. E kanë ndërprerë grevën, një lloj zhgënjimi dhe nënçmimi e kanë pasë”, ka thënë Osmani, duke shtuar se minatorët nuk i kanë pritur mirë deputetët, sepse, sipas tyre, vizita e tyre mund të ishte në ditët e para të grevës dhe jo pas 10 ditësh.
Kur u pyet se nëse beson që deputetët do t’i mbajnë premtimet e tyre, Osmani u shpreh optimist, por nëse ndodh e kundërta, sipas tij, ky do të ishte “zhgënjim total në pushtet dhe qeveri”, derisa ka ritheksuar se çështja e pakënaqësive të minatorëve mund të zgjidhej “për 10 minuta”.
Minatorët e Ndërmarrjes “Trepça” kanë arritur një marrëveshje me Bordin e Përkohshëm të Drejtorëve të Trepçës pas një greve të gjatë 10-ditore.
Marrëveshja është publikuar me detaje dhe përmban një përmbushje të kërkesave të paraqitura nga ana e minatorëve.
Lexo dhe: Minatorët e ndërprenë grevën, ndërmarrja “Trepça” publikon detajet e marrëveshjes
Minatorët kishin paraqitur kërkesat për rritjen e pagave të minatorëve nga 6 deri në 10 herë më shumë në muaj, shpalljen e konkursit të KE-së, përmirësimin e kushteve të sigurisë në minierën e “Trepça”, dhe të tërhiqen vendimet e nxjerra gjatë grevës.
Ndërmarrja “Trepça” ka reaguar pozitivisht ndaj këtyre kërkesave, duke u pajtuar me tri prej tyre.