Kryesia e Kuvendit të Kosovës, pas mbledhjes të së hënës, ka vendosur që seanca e radhës e deputetëve të vendit të mbahet të enjten e 26 majit.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja, në një konferencë për media ka theksuar se ata kanë diskutuar në këtë mbledhje për një mori pikash.
“Kryesia ka diskutuar që në seancën e radhës në Kuvend të diskutohet për Projektligjin për Jurisprudencë, Ligjin për Agjencinë për Krahasim dhe Verifikim të Pronës”.
“Po ashtu është diskutuar edhe për reformën zgjedhore, kryesia ka biseduar që kjo deri në një afat të materializohet”, ka thënë Muja.
Po ashtu edhe Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës(PDK), Abelard Tahiri pas përfundimit të mbledhjes së kryesisë së Kuvendit, ka thënë se ZRrE-ja duhet të zbatojë vendimin e Apelit.
“Ju e dini se PDK ka pasur një angazhim të madh që të pezullohet tarifimi me tarifa të shtrenjta, këtë e kemi arritur javën e kaluar kur Apeli e ka marrë një vendim që është në favor me neve, ky është një lajm jashtëzakonisht i mirë”, ka thënë Tahiri.
“Ajo çfarë është shqetësuese është se lexojmë lajme se është se KESCO ka paqartësi për tarifimin e energjisë, pas vendimit të Gjykatës së Apelit. Këtu, ZRrE-ja duhet ta ndalë çfarëdo tendence që duket që ka të qartë që të mos respektohet ky vendim”, ka shtuar Tahiri.
Ndërsa, Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës,(LDK) Arben Gashi, ka thënë se ata presin që të shkarkohet bordi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë Elektrike.
Gashi ka deklaruar se ata presin që sot Komisioni për Ekonomi në të cilin sot është duke raportuar ky bord, të jap pëlqimin që në një seancë të Kuvendit të votohet për shkarkimin e këtij bordi.
“Ky bord duhet të shkarkohet për shkak të mungesës së saktësisë në menaxhimin e krizës së energjisë elektrike, kjo për shkak të lajthitjes së një besimi të dhënë nga Kuvendi, pasi Kuvendi i ka zgjedhur ata”.
“ZRrE-ja me procesin për caktimin e tarifave të reja i ka vendosur në lajthitje institucionet e vendit”, ka thënë Gashi.
“Në rend dite në seancën e së enjtes do të jenë, deklarimet jashtë rendit të ditës, pyetjet parlamentare, miratimi i procesverbalit nga seanca plenare e mëparshme, shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr. 08/L-033 për Provimin e Jurisprudencës, shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-052 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.05/L-010 për Agjencinë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës, shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-070 për Pijet e Forta Alkoolike, shqyrtimi i dytë i Projektligjit 08/L-010 për Krijimin e Infrastrukturës Kombëtare të Informacionit Hapësinor në Republikën e Kosovës, shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-027 për Mbeturinat nga Industritë Nxjerrëse të Mineraleve, zgjedhja e pesë (5) zëvendësve të Avokatit të Popullit, si dhe zgjedhja e një anëtari të Komisionit të Pavarur për Media”, thuhet në njoftim.
Po ashtu, Kryesia, ka vendosur që të rishpallet konkurs për dy anëtarë të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, nga komunitetet joshqiptare, si dhe për një (1) anëtar të Bordit për Ankesa të Mediave.
Në këtë mbledhje, kryetarët e grupeve parlamentare u pajtuan që në mbledhjen e radhës së Kryesisë t’i propozojnë emrat e anëtarëve për Komisionin Ad -hoc për reformën zgjedhore, të cilët më pas do të votohen në seancë.
Ndryshe, më 18 maj, Gjykata e Apelit ka vërtetuar vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë për bllokimin e tarifave të shtrenjta të energjisë elektrike të vendosura nga ZRrE-ja.
Apeli thotë se ka gjetur se Gjykata e shkallës së parë në mënyrë të drejtë ka vërtetuar gjendjen faktike dhe drejtë ka zbatuar dispozitat procedurale dhe materiale me rastin e aprovimit të kërkesës së paditësit.
ZRrE-ja, më 9 shkurt 2022 kishte miratuar tarifat e reja për energji elektrike.
Ndërsa, gjatë ditës së sotme, edhe Avokati i Popullit ka konstatuar se ZRrE-ja ka diskriminuar qytetarët, pasi që ky vendim ka ka elemente të diskriminimit dhe trajtimit të pabarabartë ndaj konsumatorëve.