Agjencia e Kosovës për Inteligjencë(AKI), ka bërë të ditur se Zyra e Prokurorit të Specializuar ka dërguar fletëthirrjen për dëshmitar për Inspektorin e Përgjithshëm të AKI, Burim Ramadani.
Të hënën e 23 majit, Inspektorit të Përgjithshëm të AKI, Burim Ramadani, i është dërguar një fletëthirrje në të cilën Ramadanit i është kërkuar të paraqitet si dëshmitar për t’u marrë në pyetje nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, në datën e caktuar.
Në këtë fletëthirrje, nga ai është kërkuar që “të ofrojë detaje në lidhje me lokacionin e tij fizik dhe gjeografik gjatë kohës së luftës, dhe të ofrojë dokumentacion përfshirë këtu edhe fotografi dhe të dhëna tjera nga periudha nga 1 janar 1998 deri 31 dhjetor 2000”.
Sipas njoftimit të AKI-së, Ramadani është plotësisht i vetëdijshëm për obligimet ligjore në raste të këtilla, sikurse edhe që beson se ky është një gabim teknik dhe si i tillë do të qartësohet më tutje.
Christopher Bennett, zëdhënës i ZP-së, ka thënë për RTV Dukagjini “Kam parë raportime në mediat e Kosovës për z. Ramadanin. Sidoqoftë, Zyra e Prokurorit të Specializuar nuk ka koment dhe nuk ofron informata për hetimet e veta”.