Rreth orës 04:50 të së premtes, në rrugën kryesore Ferizaj-Prishtinë, afër një karburanti, ka ndodhur një grabitje me armë, e cila më pas është parandaluar me ndërhyrjen e Policisë.
Policia e Kosovës ka publikuar pamje nga kjo grabitje e armatosur.
Sipas Policisë, edhe pse veturat zyrtare u dëmtuan në masë të madhe, dy policët që ishin brenda saj kanë shpëtuar pa ndonjë lëndim.
“Patrulla e Policisë me të arritur në vendin e ngjarjes, të dyshuarit kanë filluar të shtënë me armë zjarri në drejtim të veturës së Policisë, duke dëmtuar në masë të madhe veturën zyrtare, mirëpo dy policët që ishin në veturë nuk kanë pësuar ndonjë lëndim trupor, ndërsa në shkëmbim të armëve të zjarrit i janë përgjigjur edhe zyrtarët policorë dhe të dyshuarit janë larguar nga vendi i ngjarjes me një veturë karavan, ngjyrë e zezë, në drejtim të panjohur dhe në veturë dyshohet se ishin 4 persona me armë të gjata”, thuhet në njoftim.
Tutje thuhet se ekipe të Policisë menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes në asistim të patrullës së Policisë, e më pas në vend të ngjarjes kanë dalë hetuesit dhe krimteknikët rajonalë, të cilët nën autorizim të prokurorit kujdestar, i cili edhe ai ka dalë në vendin e ngjarjes, i kanë nisur hetimet.
Nga hetimet e para, sipas Policisë, thuhet se cak i personave të maskuar ishin 3 bankomatet që gjenden skaj rrugës magjistrale në parkingun e qendrës tregtare ” Superviva” në Ferizaj.
“Personat e maskuar fillimisht me një mjet plasës kanë shpërthyer njërin bankomat, ndërsa kanë dëmtuar edhe dy bankomatët tjerë, mirëpo falë intervenimit të shpejtë të Policisë, posa arrin patrulla e parë policore, të dyshuarit fillojnë të shtënë në drejtim të veturës së policisë dhe të largohen nga vendi i ngjarjes. Nga të dyshuarit në këtë rast janë përdorur mjet eksplozivi në bankomat dhe pushkë automatike në drejtim të policëve në veturën e policisë. Hetuesit rajonalë pasi kanë kryer egzaminimet në vendin e ngjarjes, në bashkëpunim edhe me njësitet tjera të policisë rajonale janë në kërkim të personave të dyshuar”, thuhet tutje në njoftim.
Rasti është cilësuar “Vrasje e mbetur në tentativë, grabitje e armatosur e mbetur në tentativë dhe armëmbajtje pa leje.”