Konkurenti “La Fazani” me këngën “Oj Kosovë” është shpallur fitues i edicionit të parë të Festivalit të Këngës në Radio Televzionin e Kosovës (RTK).
Arber Salihu i njohur me emrin e tij artistik “La Fazani”, në emisionin “Reload” në RTV Dukagjini, ka shpalosur më shumë detaje rreth kësaj kënge dhe edicionit të parë të Festivalit të RTK-së
“Gjithmonë është kënaqësi me t’u shpërbly puna dhe është shumë ndjenjë e mirë kur e bën një këngë dhe e sheh që po ka reaksion prej njerëzve, e kam vrejtur prej publikut në sallë që kjo këngë është duke u pëlqyer”, ka thënë Salihu.
Tutje, ai ka theskuar se “është hera e parë që po bëhet dhe është rast historik që Kosova me bë festival dhe shpresoj që të zgjasë kjo përjetë dhe ky festival të jetë pjesë e jetës tonë”.
“Këngën e kam bërë pikërisht për festival, më ka thirrur Florent Bushnjaku, i cili është drejtor artistik i festivalit dhe ai ka thirrur njerëz që ka menduar që e pasurojnë festivalin, pasi jo shumëkush i ka besuar edicionit të parë që ka me shku mirë dhe shumë emra të cilat kanë mundur me marrë pjesë, nuk kanë marrë pjesë”, vijon ai.
Ndryshe, edhe Çmimi i Kryeqytetit në Festivalin e Këngës i kishte takuar konkurrentit “La Fazani” me këngën “Oj Kosovë”.
Çmimi artistit iu nda nga kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama.
“Mrekulli me qenë këtu në Sallën e Pallatit të Rinisë, e cila ka pësuar nga një zjarr i madh, e nga ai ka dalë një feniks i madh që e keni bërë ju bashkë me stafin e Pallatit të Rinisë dhe Komunës së Prishtinës. Dhe në këtë festival kemi artistë të mrekullueshëm si La Fazani”, kishte thënë Rama teksa kishte ndarë çmimin.