Millan Radoiçiq gjen vendbanim në “Dedinje” të Beogradit, komshinjtë e parë të tij janë Zvonko Veselinoviq dhe Nikolla Petroviq

Milan Radojçiq

Kontrata me të cilën Millan Radoiçiq ua ka falur 40 për qind të aksioneve të tij në kompaninë “Inkop” partnerëve biznesorë Zvonko dhe Zharko Veselinoviq, zbulon gjithashtu se vendbanimi i Radoiçiqit ndodhet në një lokacion ekskluziv në Dedinje, në një ndërtesë në të cilën pronar i banesës pesëdhomëshe figuron kompania “Rad 028” nga Zveçani, e cila është në listën amerikane të sanksioneve për shkak të dyshimeve se ka lidhje me Radoiçiqin.

BIRN zbulon se në lagjen mu pranë banesës së Radoiçiqit, në të njëjtën rrugë, në të njëjtin numër, gjendet një pronë tjetër gjashtëdhomëshe, e cila i takon Nikola Petroviqit, i cili njihet më së miri si kumbara i Aleksandër Vuçiqit.

Në parcelën tokësore në Dedinje të Beogradit, e cila kufizohet me lagjet “Gjeneral Pavle Jurishiq Shturm”, “Rajko Mitiq”, “Goleshka” dhe “Gjeneral Sava Grujiq”, ndodhen një numër i madh i vilave dhe objekteve të tjera luksoze me përmasa të konsiderueshme, me të gjitha elementet përcjellëse që zakonisht shkojnë me to – pishina, kopshte të gjelbëruara, rrethoja të larta që i ruajnë ato nga sytë e kalimtarëve, kamerat e sigurisë, personeli i sigurimit… Disa prej tyre i përkasin personaliteteve që publiku i njeh mirë apo i përkasin kompanive që kanë lidhje me ta.

Një nga pronat në rrugën “Rajko Mitiq” është në pronësi të kompanisë “Rad 028” nga Zveçani. Në po të njëjtën rrugë, në po të njëjtin numër me pronën e përmendur më lart, ndodhet banesa e Milan Radoiçiqit, jozyrtarisht bosit të veriut të Kosovës, i cili mori përgjegjësinë për konfliktin e armatosur në fshatin Banjskë më 24 shtator të këtij viti.

Konkretisht, në kontratën për transfer të aksioneve, të cilën BIRN ka arritur ta sigurojë nga Agjencia për Regjistrim të Bizneseve (ARB), e cila kontratë ishte nënshkruar më 2 tetor të këtij viti, tetë ditë pas ngjarjes në Banjskë, në të cilën shihet se Milan Radoiçiq ua ka dhuruar 40 për qind të aksioneve të veta nga kompania “Inkop”, Zvonko dhe Zharko Veselinoviqit, poshtë nënshkrimit të Radoiçiqit, përveç të dhënave të tjera personale, është shënuar edhe adresa e vendbanimit të tij.

Në atë adresë ndodhet një ndërtesë me sipërfaqe 1,161 metra katrorë, e cila ka tre apartamente dhe nëntë garazhe. Pronar i njërës prej banesave, banesë pesë-dhomëshe me sipërfaqe 245 metra katrorë, është kompania e përmendur më lart “Rad 028” me seli në Zveçan. Në të njëjtin objekt në Dedinje, kompania “Rad 028” nga Zveçani posedon edhe tri garazhe me nga 16 metra katrorë.

Kompania “Rad 028” viteve të fundit ka qenë shpesh në shënjestër të mediave joqeveritare, të cilat kanë spekuluar se Radule Steviq, i cili në Agjencinë për Regjistrim të Bizneseve figuron si themelues i saj, është vetëm pronar në letër, dhe se prapa kompanisë në fakt qëndrojnë Milan Radoiçiq dhe Zvonko Veselinoviq.

Kompania “Rad 028”, por edhe personat Radule Steviq, më pas Milan Radoiçiq, Zvonko Veselinoviq dhe vëllai i tij Zharko, janë në listën e sanksioneve të Ministrisë Amerikane të Financave që nga data 8 dhjetor 2021.

Në njoftimin nga Ministria amerikane thuhet se Zvonko Veselinoviq është lider i grupit të krimit të organizuar dhe se ai është një nga figurat më famëkeqe të korruptuara në Kosovë. Në njoftim po ashtu thuhet se grupi i Veselinoviqit, i cili përfshin edhe vëllain e tij Zharkon, Milan Radoiçiqin dhe disa persona të tjerë, është i përfshirë në një skemë të gjerë ryshfet-dhëniesh me zyrtarë të sigurisë në Kosovë dhe në Serbi, të cilët i mundësojnë grupit të tregtojë ilegalisht mallra, para, lëndë narkotike dhe armë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ministria amerikane në njoftim rikujton se disa anëtarë të këtij grupi dyshohet të kenë qenë të përfshirë në vrasjen e Oliver Ivanoviqit.

Radule Steviq identifikohet si person i lidhur me grupin e Veselinoviqit dhe Radoiçiqit, anëtarët e të cilit grup janë të përfshirë në korrupsion, konkretisht përvetësim të pronës shtetërore, shpronësim të pronës private për përfitime personale, korrupsion lidhur me kontrata qeveritare apo përdorim të burimeve natyrore dhe dhënie ryshfeti.

Krahas kompanisë “Rad 028”, e cila në ARB të Serbisë ka të regjistruar si aktivitet punimet finalizuese në ndërtimtari, dy kompani të Steviqit të regjistruara në ARBK të Kosovës – “Radule Stević BI PTP Rad” dhe “Rad” doo, të dyja me aktivitet të regjistruar ndërtimin e objekteve të banimit.

“Këto janë vërtet çmenduri”, pati thënë për KoSSev, Radule Steviq, në fund të vitit 2021, kur komentoi vendimin e Ministrisë Amerikane të Financave, e cila e futi atë në listën e personave nën sanksione të SHBA-së dhe e lidhi atë me “grupin e organizuar kriminal të Zvonko Veselinoviqit”.

“Rad 028” prej vitesh merr punë fitimprurëse në tenderë të financuar nga buxheti i Serbisë, por edhe nga buxheti i Kosovës. Vetëm nga fillimi i këtij viti e deri më 26 tetor, sipas të dhënave të Portalit të Prokurimit Publik, kjo kompani ka nënshkruar kontrata pune në vlerë prej rreth 15.1 milionë euro, të cilat financohen nga buxheti i Republikës së Serbisë.

Ne deshëm ta pyesim Milan Radoiçiqin nëse është e vërtetë se banon në banesë e cila është në pronësi të kompanisë “Rad 028” nga Zveçani dhe nëse po, çfarë lidhje ka me atë kompani, por nuk arritëm ta kontaktojmë përmes numrave të telefonit që i kishte redaksia.

Për këtë arsye iu drejtuam edhe pronarit të kësaj kompanie, Radule Steviqit, por ai nuk pranoi të flasë, duke na thënë se nuk kishte kohë sepse kishte festë. Kur e pyetëm nëse mund të bisedonim më vonë, ai e mbylli telefonin.

Radoiçiq “u bo shpi” në Dedinje

Për ndërtimin e objektit ku ndodhet apartamenti pesëdhomësh me 245 metra katrorë dhe tre garazhe, të cilat janë në pronësi të kompanisë “Rad 028” nga Zveçani, në adresën në Dedinje ku ishte paraqitur vendbanimi i Milan Radoiçiqit, kishte investuar kompania “Adoc Real Estate” nga Beogradi, e cila ka ndërtuar edhe dy objekte të tjera në dy parcela ngjitur me të.

Në njërin prej tyre, objekt i cili në aspektin struktural është identik me ndërtesën në të cilën figuronte i regjistruar Radoiçiq, pronar i një prej gjithsej tre apartamenteve është Nikolla Petroviq, kumbar i presidentit serb, ish-drejtor i ndërmarrjes publike të energjisë “Elektromreža Srbije”, i cili njihet për pasurinë dhe bizneset fitimprurëse që ka zhvilluar me kompanitë e tij të shumta.

Ngjarja e fundit që publikut ia rikujtoi kumbarin intrigues të presidentit serb ndodhi në mars të këtij viti, kur po në Dedinje, jo shumë larg rrugës ku ai posedon një tjetër pronë – një vilë rreth 1,300 metra katrorë, shkaktoi aksident trafiku siç dyshohet, nën ndikim të alkoolit dhe kokainës. Në aksident kanë mbetur të lënduar dy persona. Në bazë të raportimeve nga mediat, Petroviq gjersa ishte duke drejtuar makinën e tij “Mercedes Meklaren”, model ky i cili mund të arrijë çmim prej disa qindra mijëra eurosh, goditi një gardh, rrëzoi tre shtylla dhe goditi një “Opel Corsa”, në të cilën, ndodheshin dy personat e përmendur.

Në ndërtesën e lartcekur, në lagjen në afërsi të banesës së Radoiçiqit, Petroviq ka, siç shkruan në kadastër, banesë gjashtëdhomëshe prej 261 metra katrorësh dhe tre garazhe me nga 16 metra katrorë.

Ndërtesa nuk ka qasje nga pjesa e përparme, sepse preket me truallin ku ndodhet vila e Adham Abo Madalala, bashkëpunëtorit të ngushtë të Mohamed Dahlan, i cili ndërmjetësoi në punë të dyshimta mes Serbisë dhe Emirateve. Ajo vilë është ndërtuar pa leje ndërtimi, por është legalizuar pa ndonjë bazë të qartë ligjore, për të cilën BIRN ka raportuar më herët.

Prej rrugës “Rajko Mitiq”, në pjesën ku rruga ndan fushat e tenisit dhe ndërtesat e lartcekura ku ndodhet banesa gjashtëdhomëshe e Petroviqit dhe banesa pesëdhomëshe e kompanisë “Rad 028”, pamjen ndaj tyre e pengon muri i gjallë rrethues.

Lagjja e famshme në qoshe të fshatit pranë pyllit Banjiçka

Në anën tjetër të fushave të tenisit, mu përballë parkingut të objektit në fjalë, fillojnë muret e larta të cilat shtrihen përgjatë rrugës “Gjeneral Pavle Jurishiq Shturm”, të cilat rrethojnë një numër të madh ndërtesash në pronësi të biznesmenëve të fuqishëm, personaliteteve kontroverse, por edhe personave që dyshohen se janë të lidhur me krimin.

Në atë pjesë të tokës, e cila është vetëm disa qindra metra nga objekti në të cilin kanë banesa Nikolla Petroviq dhe “Rad 028”, pas atyre mureve dhe portave të larta, të cilat janë nën vëzhgim të kamerave të sigurisë, ndodhen katër vila. Njëra prej tyre, siç ka raportuar BIRN, qysh në vitin 2018, i përket kompanisë “Inkop”, nga e cila Milan Radoiçiq u largua më 2 tetor të këtij viti, pa kompensim, tani i përket mikut të tij të ngushtë dhe partnerit biznesor, Zvonko Veselinoviq dhe vëllait të tij, Zharko.

Prapa rrethojës, në afërsi të vendit të quajtur “Banjiçki venac” fshihet një vilë prej 480 metra katrorë në pronësi të kompanisë “Inkop” (majtas, e rrethuar me të kuqe). Objektet e rrethuara me ngjyrë të gjelbër ndodhen në rrugën ku jeton Millan Radoiçiq, dhe ku kompania “Rad 028” nga Zveçani dhe Nikolla Petroviq, kumbari i presidentit, kanë banesat e tyre me rreth 250 metra katrorë dhe nga tre garazhe, Foto: BIRN

Vilat e Nikolla Petroviqit dhe Milan Radoiçiqit

Në të njëjtën parcelë ku ndodhet vila e Inkop-it, në bazë të pamjeve satelitore të publikuara në faqen GeoSrbija, janë ndërtuar edhe dy objekte të tjera të cilat nuk janë të regjistruara në kadastër – njëri më i vogël se vila e lartcekur dhe një pishinë. Në Regjistrin e ARB – në Regjistrin Qendror të Lejeve Ndërtimore (CEOP), është publikuar vetëm kërkesa për të filluar punimet në ndërtimin e një objekti ndihmës në vitin 2016, e cila ishte refuzuar. Mes mangësive të konstatuara në vendimin për refuzim, ndër të tjera thuhet se nevojitet të parashtrohet informacioni për lokacionin e ndërtimit të objektit ndihmës, të cilën e lëshon Sekretariati për Urbanizëm dhe Punë Ndërtimore dhe të bëhet koncepti ideor në përputhje me Informacionin mbi lokacionin. Në bazë të pamjeve satelitore në GeoSrbija, objekti i vogël kishte filluar të ndërtohej pas refuzimit të lartcekur për fillim të punimeve, në fillim të vitit 2017, ndërkaq ndërtimi i pishinës kishte filluar pas shkurtit të vitit 2019.

Për të marrë përgjigje lidhur me objektet e paregjistruara, ju jemi drejtuar kompanisë Inkop, por deri më tash nuk kemi marrë përgjigje.

Se nuk është thjesht rastësi që treshja në fjalë – Petroviq, Veselinoviq, Radoiçiq – jetojnë ose kanë prona të paluajtshme në lagje të afërta, na kujton fotoja e publikuar nga BIRN në vitin 2018.

Milan Radoiciç (djathtas) dhe Zvonko Veselinoviç (në mes) me shokun e ngushtë të presidentit serb Aleksandër Vuçiq Nikola Petroviq (i pari nga e majta). Foto: BIRN.

Komshinj të pallatit

Në të njëjtin pallat i cili ndodhet pranë truallit të Gemaks-it, për të cilin që më shumë se dy vite flitet se mund të largohen dhe në vend të tyre të ndërtohet një kompleks banesor, në lagjen në afërsi të Inkop-it ndodhet edhe një vilë në bashkëpronësi të Naike Bokan, vajzës së Vanja Bokan, i cili në vitet e nëntëdhjeta ishte pasuruar me kontrabandim të cigareve dhe naftës dhe i cili u vra në vitin 2000. Pranë vilës së saj është edhe vila e Veselin Jevrosimoviqit, pronarit të ComTrade, ndërkaq në parcelën e tij janë edhe disa ndërtesa të legalizuara, ndër të cilat edhe një pishinë.

Beogradi mbi ujë është super-atraksion i pasanikëve serbë

Dedinje dihet se çfarë është. Megjithatë, të kesh sot nja dhjeta metra katrorë në Beogradin mbi ujë do të thotë se je pjesë e ajkës së pasanikëve serbë, prandaj edhe “Rad 028” nga Zveçani është vendosur në një nga kullat në rrugën Hercegovaçka – një garazh 12 metra katrorë, dhe një apartament modest 54 metra katrorë. Ajo ndodhet në katin e shtatë të objektit i cili ndodhet jo shumë larg vendit ku sulmuesit e maskuar kryen një sërë veprash penale, të armatosur me shkopinj bejsbolli, duke vepruar me anë të një ekskavatori dhe krerëve të policisë. Të paktën kështu ka thënë polici Goran Stamenkoviq, shefi i ndërrimit në policinë e Beogradit në natën e rrënimit në Savamala, i cili është i vetmi që deri tash ka dhënë përgjigje për demolimin e paligjshëm të asaj lagje. Megjithatë, ai nuk ka dashur të konfirmojë pretendimet e Veljko Belivukut, i cili vitin e kaluar i pati thënë trupit gjykues se ai, e më pas shefi i klanit kriminal në fjalë, Aleksandar Stankoviq, i njohur si Salle Mutavi, dhe Zvonko Veselinoviq, shoku i ngushtë i Radoiçiqit, “kishin dërguar njerëz për të bërë rrënime në Savamala”.

Zvonko Veselinoviq dhe Andrej Vuçiq, vëllai i Presidentit të Serbisë në agjencinë e marketingut Invictus media, të cilën partia SNS e kishte angazhuar në fushatën zgjedhore të vitit 2019. | Foto: BIRN/arkiv

Inkop, lidhje kompanish dhe fshehje pronash

Gjersa Milan Radoiçiq po merret në pyetje për konfliktin e armatosur në Banjskë, ndërkaq Zvonko Veselinoviq i përgjigjet me sukses pyetjes me poligraf (detektor gënjeshtrash) se a ka paguar një milion euro për likuidimin e inspektorëve të policisë që zbuluan Jovanjiqin – Slobodan Milenkoviq dhe Dushan Mitiq, kompani të lidhura me Inkop nga Quprija – Novi Pazari-put dhe betonjerka nga Aleksinaci marrin tenderë milionësh, ndërkaq Dolly Bell, sipas të dhënave të CEOP-së, po e zgjeron me shpejtësi Hotelin Grey në Parkun Nacional të Kopaonikut duke ndërtuar 8,000 metra katrorë shtesë.

Incizimet e ndërtesave me palma në Ujman dhe esktraktet kadastrale dëshmojnë se “patriotizmi” është me të vërtetë shumë fitimprurës.

Gjersa degët e palmave luhaten, vila e Milan Radoiçiqit në bregun e liqenit të Ujmanit në Kosovë, pamjet e së cilës janë publikuar në Prishtinë pas konfliktit në Banjskë.

Asgjë sa i përket pronës së Radoiçiqit nuk e kemi dëgjuar nga autoritetet serbe, përveç asaj që dëgjuam nga presidenti – se ai “kishte investuar në shtëpinë e tij në Kosovë e Metohi”. Edhe informacionet nga Prishtina janë të pakta dhe as kadastri i Kosovës nuk ofron informata.

As në kadastrin e Serbisë nuk ka prona të paluajtshme të regjistruara në emër të Milan Radoiçiqit. Nuk ka as në emër të Zvonko Veselinoviq, por kompania Inkop, përveç në Dedinje ka patundshmëri edhe në Vozhdovac në rrugën Jova Iliq. Apartament prej 104 metra katrorë dhe dy garazhe nga 12 metra katrorë secila. Siç figuron në kadastër, apartamenti është regjistruar si hipotekë në emër të borxhit tatimor që ka Inkop në vlerë prej 46.856.488 dinarë (afro 400 mijë euro). Vendimi i borxhit tatimor është i vitit 2016, kur është regjistruar hipoteka, dhe afati i fundit i pagesës ka qenë 15 qershori i vitit 2021. Edhe pse ka kaluar afati, hipoteka nuk është fshirë, dhe në kadastër nuk ka asnjë shënim tjetër, prandaj nuk dihet se çfarë ka ndodhur me këtë borxh – nëse është paguar por hipoteka nuk është fshirë, apo nëse Inkopit i është zgjatur afati për pagesën e borxhit tatimor. E njëjta hipotekë është regjistruar në të dy garazhet.

Në Rashkë, “Inkop” ka tetë objekte afariste, shumica e të cilave janë ndërtuar pa leje ndërtimi. Një objekt ka rreth 1500 metra katrorë, një tjetër rreth 1000, i treti pak më shumë se 800 metra katrorë, ndërsa të tjerët janë më të vegjël.

Zharko Veselinoviq dhe gruaja e tij kanë një apartament prej 103 metrash katrorë në Fshatin e Mësuesve në Beograd dhe kanë edhe një garazh në të njëjtën ndërtesë. Qysh në vitin 2019, BIRN pati bërë publikime lidhur me mënyrën se si vëllezërit Veselinoviq kanë ardhur deri tek ndërtesa ku sot Zharko ka apartament.

Zharko Veselinoviq – Në raportin e inspektores e cila në vitin 2017 kishte vizituar objektin e paligjshëm të Veselinoviqit në Golija, thuhet se Zharko dhe disa persona që ishin me të, në mënyrë agresive kanë folur për armë dhe gjueti, dhe se ata kanë armë të mira gjuetie, armë me dylbi. “Mesazh i qartë…”, konstatohet në raportin e inspektores | Foto: BIRN/arkiv

Më i riu i Veselinoviqve posedon edhe 17 parcela toke në Golija, dhe në vitin 2017, vëllezërit u kishin vendosur trungje në rrugë për të penguar inspektorët të cilët kishin ardhur për shkak të ndërtimeve pa leje. Se sa të fuqishëm janë Veselinoviqët, dëshmon fakti se për një shtëpi prej gati 700 metrash katrorë të ndërtuar ilegalisht, për të cilën kundër Zharko Veselinoviqit ishte zhvilluar procedurë penale dhe ishte urdhëruar rrënimi i objektit, megjithatë i është lëshuar leja e ndërtimit.

Shtëpia në Golija ende nuk është e regjistruar në kadastër, por është e dukshme në pamjet satelitore nga viti 2020/21 në gjeoportalin Geozavod.

Pse Milan Radoiçiq u largua nga kompania “Inkop”?

Në nenin 3 të Kontratës për Transferim të Aksioneve, përmes së cilës Milan Radoiçiq ua transferoi 40 për qind të aksioneve që ka në Inkop Zvonko dhe Zharko Veselinoviqit, thuhet se këtë e ka bërë pa kompensim. Në këtë mënyrë, Radoiçiq ka mbetur jo vetëm pa pronësi në Inkop, por edhe pa pronësi në katër kompani tjera përkatëse, ka mbetur pa punë fitimprurëse, pa asete që janë të lidhura me ato kompani.

Zvonko Veselinoviq dhe Milan Radoiçiq | Foto: BIRN/arkiv privat

Cila mund të jetë arsyeja e vërtetë e largimit nga kompania e cila, bashkë me kompanitë e ndërlidhura, realizon fitim të madh, dhe atë pa asnjë kompensim? A do të thotë kjo se largimi i tij është fiktiv, për t’i mbrojtur kompanitë nga konfiskimi i mundshëm i pronës me anë të ndonjë procedure të mundshme gjyqësore, apo Zvonko Veselinoviq me të vërtetë do të vazhdojë të punojë i vetëm?

Avokati Ivan Niniq tha për BIRN se konfiskimi i mundshëm i pasurisë mund të jetë arsyeja, por jo e vetmja arsye. Ai pohon se në rastin e Inkopit janë dy elemente që çojnë në konstatimin se këtu nuk ka ligj tregu, e rrjedhimisht nuk ka as logjikë ekonomike. Së pari, siç thekson ai, ndërrimi i strukturës pronësore u realizua tre ditë pasi Radoiçiq mori përgjegjësinë për ngjarjet në Banjskë dhe së dyti, bëhet fjalë për transferim të aksioneve pa kompensim monetar. Ai vlerëson se në momentin e lidhjes së kontratës me vëllezërit Veselinoviq për falje të aksioneve, Radoiçiq ka qenë i vetëdijshëm për implikimet e mundshme penale-juridike dhe për gjithçka që përcjell rastin “Banjska” në rrafshin ndërkombëtar.

“Kjo ngjarje, kur kemi parasysh sasinë dhe vlerën e armëve të sekuestruara, nuk guxon të kalojë pa një hetim serioz financiar. Kjo nënkupton mundësinë që me vendim të gjykatës të bllokohet përkohësisht disponueshmëria e tërë pasurisë së luajtshme dhe të paluajtshme të Radoiçiqit. Për aq kohë sa do të zhvillohej hetimi financiar, do të ishin të kufizara mundësitë për ndryshim të statusit dhe shfrytëzimi i aksioneve në Inkop dhe në shoqëritë e ndërlidhura me të. Hetimi, të paktën zyrtarisht, do të mund të rrezikonte pjesëmarrjen në tenderët e ardhshëm që do të shpallte shteti, të cilat tenderë gjer tani i merrte ky oktapod kompanish të ndërlidhura me kompaninë Inkop”.

Niniq vlerëson se është evidente se Radoiçiq dhe këshilltarët e tij politikë janë kujdesur me kohë që në mënyrën më efikase të ruajnë kapitalit prej disa dhjetëra miliona euro, ndërkohë që BE dhe SHBA po kërkojnë një hetim të plotë.

“Do të ishte joserioze dhe jo-bindëse nëse gjatë procesit prokurorial dhe gjykues të kishim të pandehur, kompania e të cilit, pa pengesa lidh kontrata me shtetin. Kjo gjë është shmangur me anë të një transaksioni të simuluar juridik, me anë të të cilit fshihet qëllimi i vërtetë dhe transaksioni i vërtetë juridik, e që është vetëm fshirja nominalisht, pra fshirja e emrit të Radoiçiqit në librat tregtarë si bashkëpronar. Sepse, nuk ka kurrfarë logjike që papritur të heqësh dorë nga një perandori e tillë biznesore pa kompensim dhe t’ua falësh të gjitha partnerëve biznesore”, vlerëson Niniq.

Ai më tutje thekson se e gjithë kjo po ndodh në një situatë ku autoritetet e Prishtinës ia kanë konfiskuar pronën Radoiçiqit, prandaj ai jo vetëm “që po mbetet pa të ashtuquajturën vatër shekullore në Kosovë”, por në të njëjtën kohë po i fal pronat në Serbi.

“Kemi një fenomen ku njeriu merr fajësinë përsipër dhe u fal pronat bashkëpunëtorëve të tij, për ta mashtruar përmes kësaj sistemin penalo-juridik, ndërkaq prokuroria e shikon gjithë këtë në heshtje dhe nesër do të njoftojë se i pandehuri praktikisht nuk poseduaka asnjë pronë. Atëherë, kemi të pandehur i cili në sistemin tonë juridik është bërë spekulim i plotë në çdo aspekt dhe shteti i “dhuron” kohë shtesë, që ai të bëjë çfarë të dojë”, thotë Niniq.

Ai shton se, deri tash, akrobaci të këtilla me prona nuk kanë qenë të suksesshme për Darko Shariqin, Veljko Belivukun dhe shumë të tjerë të akuzuar për krime të rënda, të cilët sot janë duke u gjykuar, sepse gjyqësori ka mekanizma me anë të të cilëve mund të parandalojë tentativa të tilla.

“Kush e di se çfarë ka fshirë nga emri i tij Milan Radoiçiq në këtë kohë të shkurtër, por të gjitha këto janë çështje juridike absolutisht të pavlefshme dhe shteti ka mekanizma për t’i anuluar ato kontrata, por për këtë, duhet të ketë sistem drejtësie ku njerëzit i kanë duart e lira për të vepruar”, thotë avokati.

Ai gjithashtu konsideron se Radoiçiq ka mundur t’ua shiste hisen e tij, sikur të kishte logjikë ekonomike, për një shumë të konsiderueshme parash vëllezërve Veselinoviq, por kjo gjë nuk ka ndodhur. Niniq përmend edhe një arsye tjetër pse Radoiçiqi ka hequr dorë pa pagesë nga 40 për qind e aksioneve të tij në “Inkop”.

“Përndryshe, në situatë kur aksionet e kompanisë transferohen pa pagesë te një person tjetër fizik, transferuesi dhe marrësi i aksioneve nuk janë të obliguar të paraqesin deklaratë tatimore për të përcaktuar tatimin e fitimit kapital. Në bazë të kësaj, në këtë rast, konkretisht, nuk ka kurrfarë tatimi. Është kushtuar kujdes i mirë që ky ‘operacion’ i heqjes së pronës nga emri i Radoiçiqit të mos ketë kosto shtesë”, përfundon Niniq.

Kemi dashur t’i bëjmë pyetje Milan Radoiçiqit lidhur me këtë ndryshim të pazakontë të pronësisë në kompaninë “Inkop”, por nuk arritëm ta kontaktonim përmes numrave të telefonit që dispononte redaksia. Nuk kemi marrë përgjigje as nga “Inkop”. /Kallxo.com

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika