Ushtria e Izraelit e pranoi të premten se e ka goditur një ambulancë gjatë sulmeve ajrore në Rripin e Gazës, për të cilën, tha se po barte militantë të grupit palestinez, Hamas.
Ministria e Shëndetësisë e Gazës, e cila udhëhiqet nga Hamasi, tha se ambulanca ishte duke evakuuar njerëz të plagosur nga veriu i rrethuar në jug të vendit.
Sipas saj, ambulanca ishte pjesë e një autokolone që po largohej nga sitali al-Shifa, të cilën e sulmoi Izraeli të premten, duke shtuar se “një numër i madh” u vranë dhe u plagosën, por pa dhënë shifra.
Por, të premten vonë, Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) thanë se ushtarët e vet kishin vlerësuar se ambulanca “po përdorej nga një qelizë terroriste e Hamasit” dhe se një numër i militantëve të Hamasit u vranë gjatë sulmit.
“Ne e theksojmë se kjo zonë është zonë lufte. Civilëve në këtë zonë u bëhet thirrje vazhdimisht për t’u evakuuar në jug për sigurinë e tyre”, tha IDF-ja.
Hamasi i rrëmbeu rreth 240 njerëz gjatë sulmeve të përgjakshme që i kreu në qytetet e Izraelit jugor më 7 tetor, të cilat e shkaktuan një luftë të re Izrael-Hamas, shkruan REL.
Mbi 1.400 njerëz u vranë nga sulmet e Hamasit më 7 tetor, sipas zyrtarëve izraelitë.
Ndërsa, nga sulmet hakmarrëse izraelite në Gazë janë vrarë mbi 9.000 palestinezë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Gazës, e cila udhëhiqet nga Hamasi.