Gjatë këtij diskutimi, sekretarja e përgjithshme e Ministrisë së Drejtësisë së Serbisë, Bojana Shqeanoviq, i është referuar Kosovës si “Kosova e Metohija”, gjë e cila ka bërë që Haxhiu të reagojë.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu është duke marrë pjesë në konferencën rajonale me temën “Një kulturë integriteti, rritja e parandalimit të korrupsionit” e cila akutualisht, po mbahet në Kroaci.
Telegrafi ka siguruar momentin kur ministrja Haxhiu i është përgjigjur ashpër sekretares serbe duke i thënë se “Kosova është shtet i pavarur që nga vitit 2008”.
“Kosova është shtet i pavarur që nga viti i 2008, dhe ju pëlqeu apo jo kjo është fare pak e rëndësishme. Republikën e Kosovës e kanë njohur më shumë se 100 shtete dhe sigurisht jemi duke punuar që Republika e Kosovës të njihet edhe nga shtete tjera”, i është kundërpërgjigjur Haxhiu sekretares serbe.
Më tej, Haxhiu ka kërkuar nga sekretarja serbe që të kërkoj falje për krimet që ka kryer vendi i saj.
“Ju përfaqësoni një vend që ka kryer krime të luftës qoftë në Kroaci, Bosnje apo edhe Kosovë. Andaj duhet të kërkoni falje për krimet që i ka bërë vendi juaj”, i ka thënë Haxhiu.