Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK) ka thënë se si pasojë e aksidentit me fatalitet që ka ndodhur mbrëmë pas mesnatës në Prishtinë – Ferizaj, ku vdiq një person, njëri nga të lënduarit vazhdon të jetë në gjendje të rëndë shëndetësore.
Përmes një komunikate në Facebook, QKUK ka bërë të ditur se i njejti është dërguar në Mjekimin Intensiv Qendror.
Ndërkaq, dy të aksidentuarit të tjerë po vazhdojnë trajtimin mjekësor, njëri në Klinikën e Kirugjisë Torakale dhe tjetri në atë të Neurokirugjisë.
Ndryshe, një person ka humbur jetën dhe katër të tjerë kanë pësuar lëndime të rënda trupore pas mesnatës të së premtes në një aksident në rrugën Prishtinë – Ferizaj.
Këtë e ka konfirmuar për Portalin Dukagjini, zëdhënësja e Policisë për Rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, e cila tha se në këtë aksident kanë qenë të përfshira tri automjete – një veturë e parkuar dhe dy të tjera që kanë qenë në lëvizje.
“Sot rreth orës 01:00 kemi pranuar informatën se në rrugën Prishtinë – Ferizaj, ka ndodhur një aksident trafiku me pasoja fatale. Në këtë aksident kanë qenë të përfshira, tri automjete (një veturë e parkuar), ndërsa dy kanë qenë në lëvizje. Si pasojë e aksidentit lëndime të rënda trupore kanë pësuar pesë persona, njëri nga të cilët nuk ka arritë të përballojnë plagët dhe i njëjti ka vdekur”, ka thënë Ahmeti.
Me rastin, po merren njësitë e trafikut.
Një i vdekur e katër të lënduar nga aksidenti në rrugën Prishtinë – Ferizaj