Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Enver Dugolli ka thënë se në kohën e nënshkrimit të marrëveshjes në Kumanovë, ka qenë një moment traumatik i torturës ndaj Albin Kurtit në burgun e Nishit.
Dugolli në emisionin “Personale” të RTV Dukagjini, ka thënë se gjatë kësaj kohe, të burgosurit ishin lidhur dhe torturuar për një kohë të gjatë, ndërsa kishin dëgjuar rrahje të tmerrshme ndaj një personi.
“Në burgun e Lipjanit më 9 qershor në kohën kur është nënshkruar marrëveshja në Kumanovë, neve kanë ardhë e na kanë lidhur duart të gjithëve nga mbrapa dhe na kanë lënë ashtu të lidhur. Mirëpo, sado dhimbja që ishte në duart tona, diçka që na shponte trurin dhe na shkaktonte dhimbje shpirtërore ishte një rrahje që filloj për tre apo katër orë dhe rrahje që nuk ndalej”, ka thënë Dugolli.
Më pas, ai tha se u zbulua se ky person ishte Albin Kurti dhe ishte rrahur aq rëndë sa ai vetë nuk kishte shpresa për të mbijetuar.
“Në fillim dëgjohej një zë që dilte e më vonë as ai zë nuk dëgjohej fare, por vetëm dëgjoheshin rrahjet dhe torturat e pandërprera. Ne e dinim që dikë nga shqiptarët po e torturonin madje për vdekje, dhe nuk e dinim se kë. Kur u takuam më pas me njerëz të tjerë me njerëz brenda burgut të Nishit, ata më treguan që ai i rrahuri ka qenë Albin Kurti”, ka theksuar Dugolli.
“Më pas e pyes Albinin për atë moment, në ndërkohë ai përgjigjet se ‘nuk kam menduar që do të shpëtoj’ për shkak se ai ka qenë shumë i rrahur”, vijon ai.
Ai tregon se torturat ndaj tij ishin të tmerrshme, veçanërisht për shkak të qëndrimit të tij gjatë gjykimit, ku ai kishte akuzuar Serbinë për krime të luftës.
“Torturat ndaj Albinit kanë qenë të tmerrshme për shkak të pozicionimit të tij gjatë gjykimit. Gjatë gjykimit të tij ai tha se lufta e UÇK-së është luftë çlirimtare, Serbia është kriminale dhe Serbia është shtet gjenocidal e cila ka bërë krime në Kosovë dhe ju duhet të jeni në bankën e të akuzuarve dhe jo ne”, ka përfunduar Dugolli.