Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë, sot pritet të vazhdojë gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Ndryshe, dëshmitari i fundit që ka dëshmuar ka qenë Predrag Dediq.
Dëshmitari Predrag Dediq kishte pohuar se djali i tij Bobani ishte 37-vjeçar dhe rezervist në ushtri, në kohën kur, sipas tij, ishte rrëmbyer.
Në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, të enjten e kaluar më 12 tetor, ka vazhduar dëshminë dëshmitari i 30-të.
Sipas përmbledhjes së lexuar në gjykatë, dëshmitari është ish-pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Seanca, të enjten, ka përfunduar duke qenë e mbyllur.
Kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III, njoftoi se seanca e radhës në këtë rast do të mbahet të hënën më 16 tetor (sot).
Ndryshe, në çështjen gjyqësore Thaçi dhe të tjerët, për këtë javë, pritet të mbahen katër seanca.
Gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së ka nisur më 3 prill kurse të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm.
Aktakuza e parë kundër katër të akuzuarve u konfirmua më 26 tetor 2020 dhe u bë publike më 5 nëntor 2020. Sipas aktakuzës, krimet e paraqitura në të u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 në disa vendndodhje në Kosovë, si edhe në Kukës dhe Cahan, në Shqipërinë Veriore.