Ish-ambasadori i Kosovës në Maqedoninë e Veriut, Gjergj Dedaj, ka vazhduar t’u përgjigjet pyetjeve të ZPS-së në Hagë.
Pas pushimit, Dedaj u pyet nëse është rrahur në Qirez nga pjesëtarë të UÇK-së. Ai e mohoi këtë gjë, duke thënë se në Qirez, ai dhe disa deputetë shqiptarë ishin shoqëruar nga katër deri gjashtë persona të maskuar, të cilët nuk mbanin emblema të UÇK-së.
Dedaj tha se në të kaluarën kishte thënë se janë rrahur me bishta druri, por që sipas tij, e ka ekzagjeruar sepse s’ka qenë në gjendje të mirë psikike.
Lexo edhe: Dedaj në Speciale: Në të kaluarën kam bërë deklarata të pamatura, kërkoj falje
“Stupca prej druri e kam ekzagjeruar, nuk ka qenë e vërtetë, s’po më lejoni me përfundu, përgjigjet po mbesin të cunguara, deklaratat i kam dhënë në gjendje të vështirë, s’e kam ditur që do bëhen temë. S’e kam ditur që do të ketë Gjykatë Speciale, sikurse se besoj që do të ketë ndaj Zelenksyt”, tha ai.
Tutje, ai u nervozua nga pyetjet e prokurores, duke thënë se me pyetjet e saj po ia shkatërron jetën.
“Protestoj ashpër, më lejoni ashpër, ma ruani dinjitetin njerëzor dhe familjar, e kam një moshë të shtyrë, kam përjetime tepër të vështira të pashpjegueshme për ju. Që ma përmendi rrahjen, ju ma shkatërroni jetën, ma rrezikoni jetën fizike, ju lutem…”, tha ai.
Personat e maskuar sipas Dedajt, ishin disa të rinj “disa të rinj, të nxitur e të keqinformuar”.
Ai vazhdoi të mohojë se grupi i tij është rrahur me hekur dhe me drunj në Qirez.
“Në media kam dëgjuar se na kanë goditur me hekur, me copa të drunjve, bishta të sëpatave, ajo është rren. Mua personalisht, nuk besoj që ka shqiptar në Kosovë që ngrit dorë në mu, as që kishte ngritur dorë në Anton Qetën, as në Nënën Terezë e as në Skënderbeun. Nuk jam unë njeriu që dikush përdor dhunë ndaj meje. Kam qenë ul në karrige, jam çuar me i nda, me i qetësu. E kam luajtur rolin e paqësorit, me ma përmend mua rrahjen më mirë është me më vra, më mirë me më dërgu në burg të përjetshëm, s’jam burrë që rrahna”, tha ai.
Ndryshe, këtë seancë, Jakup Krasniqi është duke e ndjekur përmes videolidhjes, ndërsa të akuzuarit e tjerë janë prezent në sallë.