Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se largimi i të rinjve është një problem serioz që shteti do të duhej ta trajtojë me urgjencë.
Në tryezën e organizuar nga Grupi Parlamentar i AAK-së me temën “Liberalizimi i vizave dhe migrimi i qytetarëve” të hënën, Haradinaj ka thënë se shteti duhet të krijojë mirëqenie për të ardhme të sigurt për rininë në Kosovë.
“Rinia e Kosovës ka potencial, vizion, energji , vullnet dhe krahas kësaj shteti duhet t’i shfrytëzojë të gjithë mekanizmat që të krijojë mirëqenie për një të ardhme të sigurt në vendin e tyre. Në tryezën e 8-të të diskutimit adresuam çështjen e migrimit të të rinjve. Për AAK-në, perspektiva e të rinjve në Kosovë është një ndër brengat kryesore që sot i ka vendi ynë. Largimi i të rinjve është një problem serioz që shteti do të duhej ta trajtojë me urgjencë. Sot kur Kosova gjendet në prag të një të drejtë të mohuar padrejtësisht, atë të liberalizimit të vizave, largimi i të rinjve bëhet edhe më shqetësues”, shkroi ai.
Sipas tij, lajmet e fundit të pasigurisë, mungesa e investimeve kapitale, mosveprimi i qeverisë për të futur paranë në qarkullim dhe pagat e ulëta janë problem që duhet urgjent të adresohen.
“Deri sa po flasim, qeveria do të duhej të ndërtonte një ‘Shtab Krize’ për parandalimin e largimit të të rinjve”, shtoi më tej Haradinaj.